Një zbulim i jashtëzakonshëm në permafrostin e Kanadasë ka nxjerrë në dritë gjurmë gjenetike të një ekosistemi të zhdukur prej qindra mijëra vitesh. Shkencëtarët kanë analizuar jashtëqitjet e fosilizuara të një ketri arktik dhe kanë zbuluar ADN të bimëve, insekteve dhe kafshëve që jetonin në rajonin e lashtë të Beringias, përfshirë edhe mamuthët leshatorë dhe bizonët e Epokës së Akullnajave. Studimi, i kryer nga studiues të Hakai Institute dhe McMaster University, zbulon se jashtëqitjet e një ketri arktik të ruajtura në permafrostin e Yukonit për rreth 700 mijë vjet kanë vepruar si një arkiv natyror, duke konservuar ADN-në e mjedisit përreth në gjendje të jashtëzakonshme. Mostrat e analizuara datojnë nga periudha të ndryshme, duke filluar nga 17 mijë deri në 700 mijë vjet më parë. Kushtet e ftohta të permafrostit kanë ruajtur materialin organik pothuajse të paprekur, duke u dhënë studiuesve mundësinë të analizojnë informacione biologjike që zakonisht humbasin me kalimin e kohës.
Ketrat arktikë ndërtonin strofka të thella dhe grumbullonin ushqim për periudha të gjata. Duke konsumuar bimë, insekte dhe herë pas here mbetje kafshësh, ata ruanin në organizmin e tyre ADN-në e shumë specieve që ndodheshin në habitatin përreth. Pikërisht kjo ADN, e konservuar në jashtëqitjet fosile, u ka lejuar shkencëtarëve të rindërtojnë një tablo të detajuar të jetës në atë epokë. Analizat zbuluan gjurmë të mamuthëve leshatorë, bizonëve të Epokës së Akullnajave dhe shumë llojeve të bimëve, luleve, insekteve dhe mikrobeve që sot nuk ekzistojnë më në atë rajon. Përveç kësaj, studiuesit identifikuan edhe një linjë gjenetike të panjohur më parë të ketrave arktikë, e cila është zhdukur plotësisht në Yukon, ndërsa të afërmit e saj më të afërt jetojnë aktualisht vetëm në Siberinë Perëndimore. Të dhënat e nxjerra nga këto fosile kanë ndihmuar gjithashtu në rindërtimin e historisë së Beringias, rajonit që dikur lidhte Azinë me Amerikën e Veriut. Mostrat më të vjetra tregojnë një peizazh tundror të ftohtë dhe të pasur me bimësi barishtore, ndërsa ato më të reja dëshmojnë transformimin gradual të zonës në pyje me bredha dhe mështekna.
Shkencëtarët besojnë se ky zbulim mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të mënyrës se si speciet reagojnë ndaj ndryshimeve të mëdha klimatike. Në një kohë kur ngrohja globale po përshpejton shkrirjen e permafrostit, këto arkiva natyrore mund të ofrojnë të dhëna të vlefshme për të kuptuar të kaluarën dhe për të mbrojtur biodiversitetin e së ardhmes./kb
