I ftuar në nje studio televizive, ish-deputeti Petrit Vasili, foli mbi skandalin e rëndë të të dhënave dhe rolin e institucioneve shtetërore në këtë çështje, ku u shpreh se nuk ka asnjë besim tek SPAK-u dhe se e gjithë afera lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama.
Ai theksoi se i ashtuquajturi “sulm iranian” ishte në fakt një skenim për të justifikuar shpenzime të mëdha dhe për të mbuluar një operacion të gjerë kontrolli mbi të dhënat personale.
‘Rama nuk ka qenë thjesht në dijeni, por një aktor aktiv në këtë çështje, ndërsa SPAK-u ka dështuar të hetojë në thelb përgjegjësinë politike’-shprehet ai
Ai ngriti shqetësimin se miliona të dhëna janë përdorur për patronazhim politik dhe mbajtje pushteti, duke e cilësuar situatën si një shkërmoqje të shtetit dhe një nga aferat më të rënda me pasoja të thella për sigurinë dhe demokracinë në vend.
Pjesë nga deklarata:
Unë personalisht, në këtë infrastrukturë të madhe shtetërore, që përfshin edhe drejtësinë dhe qeverinë, bëj pjesë tek ata që nuk kam asnjë lloj optimizmi; përkundrazi, nuk besoj te puna e SPAK-ut. Përse e them këtë? Normalisht, për të gjithë mbrojtjen publike që Edi Rama i ka bërë kësaj çështjeje, por edhe për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë, duke filluar që nga i ashtuquajturi “sulm iranian”, ku kuptohet qartë që s’ishte një sulm iranian, por një skenim. SPAK duhet të kishte qenë përpara çdo zyre, në zyrën e Edi Ramës, dhe Edi Rama duhet të ishte në SPAK për të dhënë të gjitha shpjegimet e detyruara lidhur me këtë aferë.
Pasi, edhe informacioni ju e mbani mend atëherë komeditë e Edi Ramës: “Po na sulmojnë, po ne po ngremë muret mbrojtëse, po ne po rezistojmë, po mbahemi.” Krijohej ideja që ai ishte me helmetë atje në vijën e frontit dhe po luftonte. Këto karagjozllëqe mafioze, për të cilat ka qenë në dijeni shumë të plotë, njëkohësisht, me autoritetin e tij, kanë nxjerrë nga arkat e shtetit dhjetëra e dhjetëra milionë euro të tjera. Dhe së pari, mbi të gjitha, atij që i ka dalë për zot kjo gjë, “heronjve” tanë të SPAK-ut, duhet të ishte Edi Rama, i cili nuk ka qenë thjesht person në dijeni, por person aktiv në këtë çështje. A keni dëgjuar ju që të kenë shkuar, apo të kenë kërkuar, apo të kenë përmendur këtë përgjegjësi shtetërore të drejtpërdrejtë të tij? Aq më tepër lidhjet e tij të drejtpërdrejta? Absolutisht jo.
Në tërë këtë veprimtari, njëkohësisht është edhe mënyra e përdorimit të miliona të dhënave për interesa të drejtpërdrejta politike të mbajtjes së pushtetit. Sepse nëpërmjet tyre është konsoliduar dhe është “ngopur” me informacion patronazhimi politik në Shqipëri. Ndërsa të dhënat e tjera sensitive që kanë dalë jashtë vendit dhe kanë shqetësuar edhe partnerët ndërkombëtarë, kjo është një çështje tjetër që i jep akoma më shumë dimension problemit.
Sa i takon rrugës që ka bërë kjo çështje, beteja e drejtësisë me këta, deri më sot, është një betejë e humbur. Për arsyen më të thjeshtë në botë: sot nuk keni nga drejtësia asnjë të ndaluar, apo asnjë segment të një çështjeje konkrete që të lidhet me AKSHI-n dhe që të trajtojë të ashtuquajturën emergjencë iraniane të përsëritur.
Sa e skenuar ishte? Cilat ishin pasojat që solli? Çfarë justifikoi dhe si justifikoi rrjedhjen e të dhënave? Ishte pjesë e një komploti qeveritar për të pasur të gjitha këto në dorë? Nëse i bashkojmë të dy çështjet atë të qindra milionë eurove të shpenzuara, që përbëjnë një dëm të madh ekonomik, dhe dëmin e jashtëzakonshëm të shkërmoqjes së shtetit, pasi informacionet shtetërore janë në mënyrë absolute në duart e kriminelëve për mua ky është një dëm që i kalon edhe 100 milionë eurot.
Praktikisht, ne nuk jemi më një shtet në duart e shtetarëve seriozë dhe të mbrojtur nga ligji, por në duart e kriminelëve ordinerë, që i përdorin këto të dhëna nga realizimi i aferave të mëdha kriminale deri te ato më të voglat, për kërcënime, shantazhe, zhvatje parash dhe forma të tjera, si dhe për të siguruar mbështetje politike.
Kështu që, e parë në 360 gradë dhe e vënë në kontrast të plotë: këtu kemi një oqean të dhënash, me firma, drejtorë, nëndrejtorë, të gjithë të inkriminuar deri në grykë. Nuk ka aty as “engjëj” e as “djaj”; të gjithë kanë qenë pjesë e një skeme. Mjafton të shikoni nëndrejtorët me pasuri pa fund. Edhe ata që mund të jenë “marrë peng”, janë marrë peng sepse kanë qenë pjesë e skemës, por më pas kanë dalë nga skema për të futur aktorë të tjerë. Pra, të gjithë kanë qenë një bandë e madhe që i ka shërbyer Edi Ramës. Sepse pa bekimin dhe mbrojtjen e tij, siç ka dalë edhe vetë t’i mbrojë, kjo nuk do të ndodhte.
