Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion i favorshëm për punëtorët indianë. Kështu u shpreh ambasadori i Indisë në Tiranë, Ravindra Prasad Jaiswal, gjatë një deklarate për mediat, ku theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve po zgjerohet si në fushën e punësimit, ashtu edhe në turizëm dhe investime.
Sipas tij, aktualisht në Shqipëri janë të punësuar rreth 1200 shtetas indianë, ndërsa po punohet me qeverinë shqiptare për arritjen e një marrëveshjeje partneriteti që synon të rregullojë dhe rrisë migrimin e ligjshëm të fuqisë punëtore nga India drejt vendit tonë.
“India është një fuqi e madhe e punëtorëve të kualifikuar dhe një numër i madh indianësh punojnë në të gjitha pjesët e botës, sidomos në vendet e Gjirit, në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Bashkimin Evropian dhe SHBA. Por në Shqipëri numrat janë shumë të ulët.
Siç më është thënë, vitin e kaluar janë dhënë rreth 1,200 viza për punëtorë indianë. Pra jemi në drejtimin e duhur, po ecim përpara, numrat po rriten dhe shpresoj që shumë më tepër do të vijnë në Shqipëri. Po punojmë për një marrëveshje partneriteti me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që të kemi një migrim të rregullt ose ardhje të rregullt të njerëzve nga India.
Dhe siç e dini, indianët janë shumë miqësorë, shumë punëtorë dhe përshtaten shumë mirë me mjedisin lokal. Kështu që shpresoj që ata do të gjejnë një vend të mirë për të punuar këtu dhe punëdhënësit shqiptarë do t’i konsiderojnë punëtorë shumë të mirë”, tha ai.
Përveç punësimit, ambasadori ndaloi edhe te rritja e interesit të turistëve indianë për Shqipërinë. Sipas të dhënave që ai referoi, mbi 30 deri në 35 mijë indianë vizituan vendin gjatë vitit 2024, një shifër që pritet të rritet ndjeshëm në vijim.
“Nga raportimet, kemi parë se në vitin 2024, që kur u vendos regjimi pa viza, njerëzit kanë ardhur gjithnjë e më shumë në Shqipëri, sidomos indianët që jetojnë në vendet e Gjirit, në Mbretërinë e Bashkuar apo në SHBA. Ata po vijnë në numër të madh, vitin e kaluar rreth 30,000 deri në 35,000 persona nga India dhe indianë nga vende të tjera kanë qenë këtu.
Kështu, në katër muajt e parë të vitit numri i indianëve që vizitojnë Shqipërinë pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin 2024. Kështu që unë shoh një perspektivë të mirë për ardhjen e indianëve në Shqipëri dhe shpresoj që shumë më tepër do të vijnë këtë vit dhe në vitet në vazhdim,” shtoi ambasadori.
Interesi nuk mungon as në fushën e investimeve. Ambasadori bëri të ditur se aktualisht janë të regjistruara 18 kompani indiane në Shqipëri, ndërsa po punohet për të nxitur më tej praninë e investitorëve nga India.
“Kemi dëgjuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit se ka 18 kompani indiane të regjistruara këtu. Nuk e di sa prej tyre janë aktualisht aktive, por po punojmë për të promovuar investimet. Do të duhet pak kohë sepse ne jemi këtu vetëm prej para dy vitesh, kështu që do të duhet kohë para se investimet të vijnë realisht”, theksoi ai.
Në kuadër të 70-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipëria dhe India, pritet të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore. Mes tyre, ambasadori përmendi ekspozita të dedikuara për Nënë Terezën, si dhe mbrëmje kulturore indiane që do të organizohen në Shqipëri.
