Last Updated on 11/09/2026 by EL
Emma Heming Willis ka folur hapur për vështirësitë emocionale që ajo dhe familja po përjetojnë ndërsa bashkëshorti i saj, aktori i njohur Bruce Willis, vijon betejën me demencën frontotemporale (FTD).
Në një intervistë për revistën “Hello!”, Emma ka treguar se përballja me një sëmundje progresive si kjo ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, pasi familja përjeton vazhdimisht ndryshime në gjendjen e aktorit.
“Është jashtëzakonisht e vështirë dhe e dhimbshme. Është e natyrshme, të gjithë duam që njerëzit tanë të dashur të jenë të shëndetshëm, plot jetë dhe të jenë personi që kanë qenë gjithmonë”, është shprehur ajo.
Sipas Emmës, demenca frontotemporale është një sëmundje që i merr gjërat gradualisht, duke bërë që familjarët të përballen me një seri humbjesh të vogla përgjatë kohës.
“Realiteti është se e gjen veten vazhdimisht në një gjendje zie”, tha ajo.
Bashkëshortja e aktorit ka folur gjithashtu për keqkuptimet që ekzistojnë rreth llojeve të ndryshme të demencës. Ajo ka theksuar se Bruce nuk vuan nga Alzheimeri, por nga demenca frontotemporale, e cila prek zona të ndryshme të trurit dhe mund të shfaqet ndryshe nga format e tjera të sëmundjes.
Një prej pyetjeve që Emma thotë se i bëhet më shpesh është nëse Bruce ende e kujton atë. Përgjigjja e saj është e qartë: po.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që të ketë më shumë informim të saktë rreth demencës, në mënyrë që publiku të kuptojë më mirë sëmundjen dhe të shmanget frika apo stigma që shpesh e shoqëron atë.
Pavarësisht vështirësive, familja është përpjekur të jetë pranë aktorit dhe të ruajë momentet e lidhjes me të. Bruce Willis dhe Emma Heming kanë dy vajza, Mabel dhe Evelyn, ndërsa aktori ka edhe tri vajza të tjera, Rumer, Scout dhe Tallulah, nga martesa e tij e mëparshme me Demi Moore.
Emma ka treguar se secila prej vajzave ka një marrëdhënie të veçantë me të atin dhe se familja vazhdon të jetë e pranishme në këtë periudhë të vështirë.
Ajo ka theksuar se, edhe pse demenca sjell dhimbje dhe ndryshime të mëdha, jeta nuk duhet parë vetëm përmes sëmundjes. Sipas saj, është e rëndësishme që edhe personi që jeton me demencën, edhe kujdestarët e tij të shihen, të kuptohen dhe të mbështeten./et
