E dimë, shumë prej jush ndoshta jeni ende konfuzë me ndryshimet e reja në Instagram. Aplikacioni ka sjellë disa funksione të reja dhe, nëse keni vënë re një ikonë që shfaqet në Instagram dhe nuk e keni kuptuar ende se për çfarë shërben, ja ku jemi për ta shpjeguar bashkë.
Bëhet fjalë për Muse, një sistem i ri që po zhvillohet për të ndryshuar mënyrën se si përdorim agjentët personalë të inteligjencës artificiale. Në vend që një AI të japë vetëm përgjigje, ideja është që ajo të mund të kryejë edhe detyra konkrete në emër të përdoruesit, si rezervimi i një aktiviteti, blerja e një produkti, caktimi i një takimi apo komunikimi me shërbimet e klientit.
Pra, nëse deri tani AI-n e kemi përdorur kryesisht për të na ndihmuar të gjejmë informacion, Muse synon ta çojë një hap më tej: t’i japim një detyrë dhe ta lëmë agjentin të merret me hapat që duhen për ta përfunduar atë.
Sistemi mund të ndërveprojë me faqet e internetit, API-të dhe agjentë të krijuar nga vetë bizneset. Për shembull, në vend që të hapni një faqe, të kërkoni një produkt, të plotësoni të dhënat dhe të përfundoni porosinë vetë, një agjent personal mund ta kryejë këtë proces pasi ju t’i keni dhënë udhëzimin.
Por kjo nuk do të thotë se AI mund të bëjë gjithçka pa dijeninë tuaj. Për veprime që kanë pasoja, si hyrja në një llogari, kryerja e një rezervimi apo realizimi i një blerjeje, kërkohet miratimi i përdoruesit.

Muse po punon gjithashtu me kompani të tjera për krijimin e një protokolli që do t’u mundësonte bizneseve t’u japin agjentëve personalë udhëzime të qarta se si të përdorin faqet e tyre, të kryejnë rezervime, të kontrollojnë porositë apo të marrin informacion për produktet.
Në të ardhmen, ideja është që një agjent personal të mos ketë nevojë domosdoshmërisht të “shëtisë” nëpër një faqe interneti. Ai mund të komunikojë drejtpërdrejt me agjentin e një kompanie për të marrë informacion ose për të përfunduar një detyrë.
Me pak fjalë, Muse synon të krijojë një mënyrë ku AI nuk ju tregon vetëm çfarë të bëni, por mund t’ju ndihmojë ta bëni vetë procesin. Dhe duke parë sa shpejt po zhvillohen këto mjete, duket se mënyra se si ndërveprojmë me aplikacionet dhe shërbimet online mund të ndryshojë ndjeshëm./k.m
