Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi sot në Kuvend avancimin e reformës territoriale pa dëgjuar qytetarët e Tiranës dhe komunitetet që preken prej saj. Gjatë debatit për procedurën në nisje të seancës plenare, ajo u bëri thirrje deputetëve të shumicës të mos votojnë një reformë që, sipas saj, përqendron pushtetin politik, ekonomik dhe elektoral në duart e kryeministrit Edi Rama.
“Qytetarët e Tiranës, një e treta e vendit, nuk janë dëgjuar”, deklaroi Tabaku, duke ngritur shqetësimin se procesi po vijon pa dëgjuar asnjë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës.
Sipas deputetes demokrate, reforma parashikon shkrirjen e 50 bashkive “me një të rënë të lapsit”, pa marrë parasysh zërin e qytetarëve dhe qëndrimet e këshillave bashkiakë. Ajo tha se edhe këshilla me shumicë socialiste kanë votuar kundër reformës, por qëndrimet e tyre nuk janë dëgjuar.
“Kjo nuk është në fakt një reformë territoriale. Kjo është një reformë politike, kjo është një reformë elektorale, kjo është një reformë edhe ekonomike”, u shpreh Tabaku.
Ajo argumentoi se ndryshimet e propozuara nuk po orientohen drejt shërbimeve më të mira dhe afrimit të pushtetit vendor me qytetarët. Sipas saj, qëllimi është kontrolli mbi vendimmarrjen ekonomike, lejet e ndërtimit dhe zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në fjalën e saj, Tabaku iu referua edhe një deklarate që ia atribuoi Maznikut, sipas së cilës Bashkia e Tiranës drejtohet nga burgu. Ajo e cilësoi këtë një paradoks që dëshmon gjendjen e qeverisjes socialiste dhe e lidhi me pakënaqësinë e qytetarëve që protestojnë jashtë bashkisë.
Në përfundim, deputetja demokrate paralajmëroi se miratimi i reformës në këto kushte do të përbënte një tjetër vendim të rëndë për Kuvendin. Ajo e krahasoi përgjegjësinë e këtij votimi me atë për shembjen e Teatrit Kombëtar, ligjin e investimeve strategjike dhe ligjin për zonat e mbrojtura.
“Mos ia shtoni emrin tuaj atyre tri listave”, u bëri thirrje Tabaku deputetëve socialistë. “Votoni për ata që ju kanë sjellë në Parlament.”/k.m
