Nënkryetari i Partisë Demokratike ka kritikuar qëndrimet e Komisioneres Europiane për Zhvillim, Marta Kos, e cila ishte e pranishme dje në Tiranë, përgjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Këlliçi hodhi akuza në drejtim të Kos, duke iu referuar zhvillimeve politike aktuale në Shqipëri. Nënkryetari demokrat i cilësoi deklaratat e Kos si me standarde të dyfishta dhe shigjetoi qëndrimet e saj të shprehura në Tiranë. Sipas tij, fjalët e Komisioneres nuk përputhen aspak me terrenin shqiptar, me atë se çfarë po ndodh në vendin tonë.
Sipas Këlliçit, nuk është aspak e hijshme që për vende si Gjermania apo Sllovenia të kemi një standard tjetër dhe kur ajo vjen në Shqipëri të përdoret një standard i transformuar.
Ai kundërshtoi fjalë për fjalë deklaratat e ndërkombëtares sa i takon korrupsionit, të cilit kjo e fundit iu referua si një problem mendor dhe kulturor i popullit shqiptar. Sipas Këlliçit, kjo nuk qëndron aspak, pasi përndryshe pse rinia shqiptare do të protestonte nëse nuk do ta shihte këtë fenomen si një problematikë të vërtetë. Për Këlliçin, të rinjtë shqiptarë po protestojnë kundër modelit korruptiv të kryeministrit Edi Rama, ndryshe nga ç’mendon Komisionerja për Zgjerim.
Këlliçi nënvizoi se ndoshta Marta po bëhet bashkautore e Ramës padashje, pa dashur ta fajësojë direkt, por që gjithsesi ai kishte vërejtje të mëdha për fjalimin e saj në Shqipëri.
Këlliçi shtoi se deklarata e Kos për zgjedhjet e fundit ishte jo normale dhe jokonsistente me kushtet reale dhe me raportet që vetë instancat si shoqe të Kos kanë lëshuar, referuar zgjedhjeve të fundit të përgjithshme të vendit.
Në fund, Këlliçi e sheh Marta Kos si jashtë realitetit politik të Shqipërisë, duke folur vetëm në letër, pa u ballafaquar me rrafshin politik shqiptar, që përcjell tjetër qëndrim.
“Ndërkombëtarët që vijnë në Shqipëri duhet të kërkojnë dhe të aplikojnë të njëjtat standarde demokratike që zbatohen në vendet e tyre. Nuk mund të kemi një standard në Gjermani, Slloveni apo Francë dhe një standard tjetër për Shqipërinë.
Marta Kos nuk mund të vijë këtu, të flasë në emër të Komisionit Evropian dhe t’u përcjellë qytetarëve shqiptarë një qëndrim që nuk përputhet me realitetin.
Marta Kos, ndoshta pa dashje, por unë e shoh se në mënyrë të padiskutueshme edhe me vullnetin e saj, po bëhet bashkautore e forcimit dhe sponsorizimit të këtij modeli të autokracisë dhe të narkoshtetit në zemër të Ballkanit.
Marta Kos nuk mund të kalojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë mbi deklaratat e saj, veçanërisht dy deklarata të bëra në Shqipëri dhe për Shqipërinë.
Mos harroni se një vit më parë, këtu në Tiranë, Marta Kos deklaroi se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme, ndërkohë që raporti i OSBE/ODIHR-it thotë se zgjedhjet u manipuluan nga partia-shtet.
Raporti evidenton se grupet kriminale kanë intimiduar zgjedhësit dhe se fenomeni i shitblerjes së votës është i pranishëm në të gjithë procesin zgjedhor.
Marta Kos, sado e afërt të jetë personalisht me Edi Ramën, nuk mund të vijë këtu, të flasë në emër të Komisionit Evropian dhe t’u përcjellë qytetarëve shqiptarë një qëndrim që ata e dinë se nuk përputhet me realitetin.
Madje, ajo nuk mund të jetë jokonsistente as me qëndrimet e vetë institucioneve të Bashkimit Evropian dhe të Brukselit.
Qëndrimi më jokonsistent dhe më i pavend në raport me shqiptarët është mbajtur sërish nga zonja Marta Kos në muajin mars të këtij viti, në një intervistë për ‘Politico’, ku ajo ia atribuoi fenomenin e korrupsionit mentalitetit të shoqërisë shqiptare. Ajo tha se Shqipëria mund të ketë një kuadër ligjor shumë të mirë, por për sa kohë korrupsioni mbetet një problem kulturor shqiptar, kjo është një çështje që duhet ta zgjidhë vetë shoqëria shqiptare.
Këto janë dy mospërputhje shumë të forta të qëndrimeve të Marta Kosit me realitetin që ka sot Shqipëria.”, e mbylli Këlliçi./Mxh
