Kryetari i PD, Sali Berisha i është përgjigjur Edi Ramës përmes një video-mesazhi të ndarë në rrjetet sociale, pas deklaratave të kreut të qeverisë në monologun e zakonshëm të së dielës.
Berisha shprehet se mbrëmë 200 mijë shqiptarë protestuan dhe kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës.
Sipas kryedemokratit Sali Berisha, lëvizja qytetare do ta realizojë qëllimin e saj, largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së korruptuar të tij.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare. Dje Tirana njohu protestën më të fuqishme në tërë ekzistencën e saj, mbase 200.000 qytetarë vërshuan në sheshet dhe rrugët e saj në kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës. Por siç ka faktuar historia, diktatorët të verbuar nga pushteti nuk dëgjojnë të tjerët, nuk njohin realitetin dhe së fundi nuk marrin ndonjëherë vendime të drejta”, shprehet kryedemokrati.
“Ndaj dhe ajo që mbetet të bësh, akti më i rëndësishëm, jep dorëheqjen sa nuk është vonë. Ky revolucion, kjo protestë, kjo lëvizje nuk ka të ndalur, do realizojë plotësisht misionin e saj. Është një lëvizje çlirimtare në raport me diktaturën tënde autoritare”, vijon Berisha./kb
