Aktorja e njohur amerikane Jessica Alba është urdhëruar nga Gjykata e Lartë e Los Anxhelosit t’i paguajë ish-bashkëshortit të saj, Cash Warren, shumën prej 577,481 dollarësh, si pjesë e marrëveshjes për ndarjen e pasurisë pas divorcit. Sipas revistës “People”, vendimi është marrë të premten, më 20 nëntor, dhe shuma përfaqëson pjesën që Warren përfiton nga fondet e pensionit të aktores, në kuadër të Planit të Ndarjes së Fitimit të kompanisë së saj, HonorBar Inc.
Dokumentet gjyqësore përcaktojnë se ish-bashkëshorti mund ta marrë shumën menjëherë ose ta transferojë atë në një llogari individuale pensioni apo në një plan tjetër pensioni. Vlera përfundimtare do të përshtatet në varësi të fitimeve ose humbjeve të investimeve deri në momentin e transferimit të parave.
Me këtë pagesë, Alba nuk do të ketë detyrime të tjera financiare ndaj Warrenit në lidhje me kompaninë e saj.
3 milionë dollarë nga marrëveshja e divorcit
Jessica Alba dhe Cash Warren kanë qenë të martuar nga viti 2008 deri në vitin 2025 dhe janë prindër të tre fëmijëve: Honor Marie, 18 vjeç, Haven Garner, 15 vjeç, dhe Hayes, 8 vjeç. Çifti u njoh në vitin 2004, gjatë xhirimeve të filmit “Fantastic Four”, ku Warren punonte si asistent i regjisorit Tim Story. Ata u martuan në një ceremoni private në vitin 2008.
Ndarja u bë publike në janar të vitit 2025, ndërsa Alba paraqiti kërkesën për divorc në Gjykatën e Qarkut të Los Anxhelosit, duke cituar dallime të papajtueshme. Data e ndarjes u përcaktua më 27 dhjetor 2024. Divorci u finalizua në mars të vitit 2025. Në kuadër të marrëveshjes, ish-bashkëshortët ranë dakord për kujdestari të përbashkët ligjore dhe fizike të tre fëmijëve, ndërsa aktorja pranoi t’i paguante Warrenit edhe 3 milionë dollarë për të balancuar ndarjen e pasurisë së tyre. Pavarësisht divorcit, Alba dhe Warren duket se kanë ruajtur një marrëdhënie të mirë, duke vendosur fëmijët në qendër të vëmendjes.
Kur njoftoi ndarjen në janar 2025, aktorja u shpreh se të dy po nisnin një kapitull të ri në jetën e tyre, me dashuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë, duke theksuar se do të mbeteshin gjithmonë një familje. Në qershor të vitit 2025, në Ditën e Babait, Alba publikoi edhe një mesazh vlerësues për ish-bashkëshortin, duke e cilësuar një baba të përkushtuar dhe të dashur për fëmijët e tyre. Ndërkohë, aktorja ka nisur një lidhje të re me aktorin Danny Ramirez, me të cilin është parë që prej verës së vitit 2025./k.m
