Last Updated on 24/11/2026 by EL
Gati katër vjet pas shpalljes së fituesit për ndërtimin me koncesion të autostradës Kashar–Pezë–Lekaj, qeveria shqiptare ka hedhur hapin e parë konkret në terren duke nisur zyrtarisht procedurat për shpronësimin e tokave.
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, me kërkesë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), ka shpallur listën paraprake të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga gjurma e këtij aksi strategjik, pjesë e Korridorit Blu (Milot–Fier).
Vlera totale paraprake e llogaritur për shpronësimet arrin në 247,8 milionw lekë, e përllogaritur në bazë të hartës së vlerës së tokës. Lista përfshin gjithsej 682 pasuri—kryesisht tokë bujqësore (arë), por edhe truall, pemëtore, ullishte dhe vreshta—të cilat shtrihen përgjatë njësive administrative në rrethet Tiranë, Kavajë dhe Rrogozhinë (përfshirë fshatrat Pezë e Madhe, Pezë e Vogël, Pezë-Helmes, Maknor, Menik, Lalm, Cikallesh, Lekaj, Lis-Patrose, Germej, Mushnik dhe Zambishe).
Pronarët e prekur kanë afat 15 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare (deri më 5 dhjetor 2026) për të paraqitur dokumentacionin e pronësisë dhe pretendimet e tyre pranë ARRSH-së dhe Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, përpara se Këshilli i Ministrave të miratojë vendimin përfundimtar për likuidimin e pagesave.
Gati 4 vite pritje
Nisja e shpronësimeve vjen tre muaj pasi ARRSH miratoi në gusht të këtij viti projektin e zbatimit, duke i hapur rrugë fazës finale për fillimin e punimeve në terren.
Tenderi për ndërtimin me koncesion të rrugës Kashar–Pezë–Lekaj u zhvillua në fund të vitit 2022, ndërsa bashkimi i 7 kompanive (“Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial”, “Pepa Group”, “UDHA”, “Geoportal” dhe “A&E Engineering”) u shpall zyrtarisht fitues në shkurt të vitit 2023. Kontrata 35-vjeçare e koncesionit (PPP) u miratua nga Këshilli i Ministrave në dhjetor të vitit 2024 dhe parashikon një vlerë investimi prej 474.9 milionë eurosh pa TVSH.
Aksi rrugor do të jetë me pagesë dhe ka një gjatësi totale prej rreth 33.6 kilometrash, nga të cilat 26.6 kilometra janë objekt i kontratës koncesionare, ndërsa rreth 7 kilometra përkojnë me gjurmën e Bypass-it të Tiranës./ET
