Jim Carrey mund të ketë nisur një kapitull të ri në jetën personale. Aktori 64-vjeçar raportohet se është martuar me partneren e tij prej disa vitesh, Min Ah, në një ceremoni intime në Los Angeles.
Lajmi është bërë i ditur nga TMZ, sipas të cilit çifti ka zgjedhur një festë private, larg syrit të mediave dhe vëmendjes publike.
Edhe pse lidhjen e tyre e kanë mbajtur për një kohë të gjatë larg kamerave, Carrey dhe Min Ah u shfaqën publikisht si çift në shkurt, gjatë ceremonisë së çmimeve César në Paris. Në atë mbrëmje, aktori u nderua me një César Nderi për kontributin e tij në kinema dhe, gjatë fjalimit, pati një dedikim të veçantë për partneren.
Ai e quajti Min Ah “shoqëruesen time sublime”, përpara se t’i drejtohej publikisht me fjalët: “Të dua, Min Ah.”
Dyshja është parë së bashku që prej vitit 2022, por ka preferuar ta mbajë marrëdhënien larg ekspozimit mediatik. Në eventin në Paris, ata u shfaqën gjithashtu pranë vajzës së Carrey, Jane Erin Carrey, dhe nipit të tij, Jackson.
Nëse martesa konfirmohet zyrtarisht, kjo do të ishte hera e tretë që ylli i “The Mask” kurorëzon një martesë.
Carrey u martua për herë të parë në vitin 1987 me Melissa Womer, me të cilën ka vajzën Jane. Martesa përfundoi në vitin 1995. Një vit më vonë, aktori u martua me Lauren Holly, partneren e tij në “Dumb and Dumber”, por lidhja martesore zgjati vetëm rreth tetë muaj.
Përgjatë karrierës, aktori ka qenë në lidhje edhe me emra të njohur të Hollywood-it, mes tyre Renée Zellweger dhe January Jones, ndërsa marrëdhënia e tij me Jenny McCarthy zgjati rreth pesë vjet.
Tashmë, vëmendja është kthyer te romanca e tij me Min Ah dhe te raportimet se çifti mund të ketë hedhur hapin e madh drejt martesës./mxh
