Një ngjarje e rëndë pranë rezidencës së Rihanna-s në Kaliforninë Jugore ka përfunduar në duart e drejtësisë, pasi një grua nga Florida akuzohet se ka qëlluar disa herë me armë drejt banesës së këngëtares.
Sipas prokurorisë së Los Angeles, e akuzuara është Ivana Lisette Ortiz, ndaj së cilës janë ngritur akuza për tentativë vrasjeje, 10 raste sulmi me armë dhe tre akuza lidhur me përdorimin e armës së zjarrit ndaj një banese.
Nëse shpallet fajtore, Ortiz mund të përballet me një dënim maksimal deri në burgim të përjetshëm. Prokurori i Distriktit të Los Angeles, Nathan J. Hochman, e ka përshkruar incidentin si një akt të rëndë dhune, duke nënvizuar rëndësinë e sigurisë së njerëzve në shtëpitë e tyre.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 8 mars. Sipas dosjes së akuzës, Ortiz shkoi me makinë pranë pronës së Rihanna-s dhe qëlloi disa herë me një pushkë sulmi.
Në atë kohë, Rihanna ndodhej në një rimorkio brenda pronës, së bashku me partnerin e saj A$AP Rocky. Tre fëmijët e çiftit ishin në dhomën e tyre të gjumit, ndërsa në rezidencë ndodheshin edhe persona të tjerë.
Hetimi ka nxjerrë gjithashtu në pah aktivitetin e Ortiz në rrjetet sociale. Autoritetet dyshojnë se para incidentit ajo kishte publikuar video me përmbajtje agresive në lidhje me Rihanna-n dhe kishte shfaqur një interes të vazhdueshëm ndaj këngëtares.
Ortiz është deklaruar e pafajshme për të gjitha akuzat. Gjykata ka vendosur një garanci prej 2.65 milionë dollarësh, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 29 tetor.
Tashmë çështja do të vijojë përmes procesit gjyqësor, ku do të shqyrtohen provat dhe akuzat e ngritura ndaj saj./mxh
