Last Updated on 31/08/2026 by EL
Çmimet e karburanteve në Shqipëri mund të rriten më tej. Kjo, jo nga zhvillimet në Lindjen e Mesme që kanë shtrenjtuar naftën në bursa, por nga vetë qeveria. Në duzinën e taksave që rëndojnë në çdo litër naftë e benzinë, do të rikthehet nga viti i ardhshëm “gjurmimi”. Këtë herë jo si koncesion privat, por si shoqëri shtetërore në ortakëri me Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Çdo ndërhyrje që shton kostot në zinxhirin e tregtimit të karburanteve, në një mënyrë ose në një tjetër, ka potencialin të reflektohet në çmimin final. Në këtë rast duhet parë me shumë kujdes mënyra se si do të funksionojë skema e re, kush do ta financojë dhe nëse këto shpenzime do të përballohen nga buxheti i shtetit apo do t’u kalojnë operatorëve të tregut. Në kushtet kur çmimi i karburanteve është tashmë shumë i ndjeshëm ndaj çdo kostoje shtesë, çdo element i ri duhet të analizohet me transparencë”, deklaroi Bardhi Sejdarasi, gazetar ekonomie.
Markimi, i cili konsiston në hedhjen e një pigmenti identifikues te karburantit i importuar para se ai të shitej në treg, me synimin e identifikimit se sa prej naftës së tregtuar ishte e përzierë me karburant të pa-zhdoganuar u dha si koncesion në kohën që vendi qeverisej nga Partia Demokratike.
“Markimi i karburanteve ka pasur si argument kryesor luftën ndaj informalitetit dhe garantimin që produkti që hidhet në treg të jetë i rregullt. Por pa rezultat”, u shpreh Bardhi Sejdarasi, gazetar ekonomie.
Ai hyri në fuqi në korrik të 2013-ës dhe afati 10-vjecar i mbaroi vjet në gusht. Po rikthimi i tij nën menaxhimin e “Alb Trace Co” mund të jetë kosto shtesë.
“Por problemi që shtrohet sot është nëse rikthimi i kësaj skeme do të sjellë një përfitim real në kontrollin e tregut apo do të krijojë thjesht një kosto tjetër administrative. Për konsumatorin kjo është shumë e rëndësishme, sepse në fund çdo shpenzim i shtuar në këtë sektor ka mundësi të përfundojë në çmimin që paguan qytetari në pikën e karburantit”, tha Bardhi Sejdarasi, gazetar ekonomie.
Shërbimi, qëllim i së cilit është garantimi i cilësisë së karburanteve dhe parandalim i kontrabandës aktualisht po menaxhohet nga vetë shteti. Me urdhër të ministrit të Financave është ngritur grupi i punës për të kaluar të gjitha asetet nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave./et
