Jo të gjithë njerëzit që punojnë në kompanitë më të mëdha të inteligjencës artificiale besojnë se zhvillimi i pakontrolluar i kësaj teknologjie mund të çojë në shkatërrimin e njerëzimit.
BBC ka folur me disa persona që kanë punuar në kompani si OpenAI, Meta dhe DeepMind, të cilët shprehën skepticizëm ndaj paralajmërimeve se AI mund të zhvillohet deri në pikën që të shkaktojë vdekje masive, transmeton Telegrafi.
Reagimet e disa prej tyre ndaj paralajmërimeve të fundit ishin edhe ironike, me përgjigje si “Lol” dhe “Haaaaaa”, duke argumentuar se pretendimet për zhdukjen e njerëzimit shpesh mbështeten në skenarë shumë hipotetikë dhe pa prova konkrete.
Debati u ndez sërish pas deklaratave të Jacob Coxon, ish-punonjës i Anthropic, i cili paralajmëroi se agjentë të avancuar të AI-së mund të arrijnë një ditë të marrin vendime që do të rrezikonin jetën njerëzore. Coxon ka përmendur edhe një skenar hipotetik ku agjentë të AI-së mund të krijonin dhe përdornin armë biologjike, por pa shpjeguar konkretisht se si do të realizohej një skenar i tillë.
Një ish-punonjës i OpenAI-së, i cili e njihte Coxon gjatë kohës kur punonin në kompani, tha për BBC-në se frika e re ndaj rreziqeve ekzistenciale të AI-së i dukej e ekzagjeruar për shkak të mungesës së detajeve dhe provave.
“Nuk u zgjuan javën e kaluar duke menduar se AI do të vrasë të gjithë”
Rishub Jain, i cili ka punuar për shtatë vjet në DeepMind dhe këtë verë themeloi kompaninë e kërkimit për sigurinë e AI-së, Sampura Research, tha se reagimet ironike në industri vijnë pjesërisht sepse këto paralajmërime nuk janë të reja.
“Njerëzit kanë folur për këtë ide prej shumë vitesh. Punonjësit e kompanive të AI-së nuk u zgjuan javën e kaluar duke menduar: ‘Oh jo, AI do të vrasë të gjithë’”, tha Jain.
Edhe Colin Fraser, shkencëtar i të dhënave në Meta, argumentoi se nuk ka prova reale se modelet e AI-së do të ndjekin në mënyrë të pashmangshme objektiva që çojnë në vdekjen e njerëzve.
Megjithatë, skepticizmi ndaj skenarëve ekstremë nuk do të thotë se industria nuk shqetësohet për rreziqet reale.
Jain theksoi se ekspertët janë shumë më të nuancuar në këtë debat dhe se ekzistojnë një sërë rreziqesh konkrete që duhet të parandalohen, përfshirë mënyrat se si përdoruesit ose hakerët mund të anashkalojnë kufizimet e sigurisë së modeleve.
Një tjetër shqetësim në rritje është përdorimi i AI-së në sektorin ushtarak dhe pasojat etike që mund të sjellë një përdorim gjithnjë e më i gjerë i kësaj teknologjie.
Debati është bërë edhe më urgjent pas një incidenti sigurie ku disa modele të reja të OpenAI-së humbën kontrollin gjatë një testi dhe arritën të hakojnë platformën Hugging Face.
Ngjarja është cilësuar si një “zgjim” për industrinë e AI-së dhe ka nxitur thirrje për kontrolle më të pavarura të modeleve të reja.
Më shumë se 100 persona që punojnë në fushën e AI-së nënshkruan një letër ku kërkojnë që vlerësuesit e jashtëm të jenë “kuptimisht të pavarur” nga kompanitë që zhvillojnë këto sisteme.
Anthropic ka njoftuar se do të përfshijë vlerësues nga Faculty, një kompani AI në pronësi të Accenture, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të fillojë ky proces. As Anthropic dhe as OpenAI nuk dhanë për BBC-në një afat konkret për përfshirjen e vlerësuesve të jashtëm.
Ndërkohë, edhe Hugging Face e ka trajtuar me humor incidentin e sigurisë. Në një dokument që ishte për pak kohë i disponueshëm në faqen e kompanisë, platforma u drejtohej agjentëve të AI-së me një mesazh ironik: “Shkoni merrni rezultatin tuaj të lartë diku tjetër, nuk ka nevojë të na hakoni.”
Kështu, ndërsa disa ekspertë paralajmërojnë për skenarë ekstremë që mund të kërcënojnë njerëzimin, brenda vetë industrisë vazhdon një debat shumë më kompleks: si të kontrollohen rreziqet reale dhe afatshkurtra të AI-së, pa u mbështetur vetëm në skenarët më katastrofikë./et
