Last Updated on 24/06/2026 by Monika
Ndeshja legjendare Argjentinë–Angli në Kupën e Botës 1986 mbahet mend për dy golat e pavdekshëm të Diego Maradonës: “Dorën e Zotit” dhe atë që më vonë u cilësua si “Goli i Shekullit”. Por pak njerëz e dinë se në atë sfidë historike, futbollistët argjentinas nuk luajtën me fanellat e tyre zyrtare.
Pas fitores ndaj Uruguait në raundin e mëparshëm, trajneri i Argjentinës, Carlos Bilardo, u ankua se fanellat zyrtare të prodhuara nga Le Coq Sportif ishin tepër të rënda. Të bëra prej pambuku të trashë, ato thithnin djersën dhe lagështinë, duke u bërë të papërshtatshme për kushtet ekstreme të nxehtësisë në Mexico City, ku çerekfinalja me Anglinë do të luhej në mesditë dhe në mbi 2.200 metra lartësi.
Me vetëm tre ditë në dispozicion, drejtuesit e ekipit nisën një kërkim të dëshpëruar për fanella më të lehta. Sipas rrëfimeve të mëvonshme, një prej zyrtarëve të federatës, Rubén Moschella, gjeti në tregun popullor të Tepitos disa fanella blu prej materiali sintetik, shumë më të lehta se ato zyrtare. Thuhet se ishte vetë Maradona ai që zgjodhi modelin. Pasi pa dy variante, ai i tha trajnerit Bilardo: “Kjo është e bukur. Me këtë do ta mundim Anglinë”.
Problemi ishte se fanellat nuk kishin stemën e Federatës Argjentinase dhe as numrat. Kështu, natën para ndeshjes, stafi i ekipit organizoi një operacion të pazakontë. Stemat u qepën me dorë, ndërsa numrat metalikë, të përdorur zakonisht në fanellat e futbollit amerikan, u ngjitën me hekur. Pavarësisht improvizimit, gjithçka funksionoi në mënyrë perfekte.
Numrat nuk u shkëputën dhe askush nuk vuri re ndryshimet gjatë ndeshjes që hyri në histori. Për dekada me radhë ka pasur debate nëse fanella e Maradonës në atë sfidë ishte vërtet jozyrtare. Përgjigjja përfundimtare erdhi në vitin 2022, kur fanella u shit në një ankand të organizuar nga Sotheby’s për 9.3 milionë dollarë.
Ekspertët përdorën teknikën “Photo Matching”, duke analizuar fotografi me rezolucion të lartë nga ndeshja e vitit 1986. Përfundimi ishte i qartë: fanellat e përdorura kundër Anglisë nuk ishin pjesë e furnizimit zyrtar. Madje, për shkak të punimit artizanal, secila prej tyre kishte detaje të ndryshme, duke e bërë çdo fanellë një objekt unik koleksioni. Kështu, një nga ndeshjet më të famshme në historinë e futbollit nuk u fitua vetëm nga gjenialiteti i Maradonës, por edhe nga një operacion improvizimi që filloi në tregjet e Mexico City dhe përfundoi në legjendën e Kupës së Botës./mxh
