Premiera e parë filmike nga romani i Bulgakovit në gjuhën angleze, por ndërkohë vijon beteja ligjore me versionin rus
nga Alessandra Baldini
Vazhdon rrugëtimi i Johnny Depp për t’u rikthyer si një figurë e rëndësishme në Hollywood.
I ostracizuar për një kohë të gjatë pas akuzave për dhunë në familje nga ish-bashkëshortja Amber Heard, ish-“Pirati i Karaibeve” është tani gati të prodhojë përkthimin e parë filmik në gjuhën angleze të kryeveprës së Mikhail Bulgakovit, “Mjeshtri dhe Margarita”.
Xhirimet pritet të nisin në vitin 2026, edhe pse deri tani nuk ka asnjë të dhënë mbi kastin apo regjisorin. Pas proceseve gjyqësore me dënime reciproke, Depp është mbajtur për një kohë të gjatë në distancë nga kolegët e tij. Ai u rikthye në kinematografi falë shtëpisë së tij të produksionit, In.2 Film, me të cilën realizoi në vitin 2023 Jeanne du Barry dhe më pas drejtoi Modì: Tre Ditë në Krahët e Çmendurisë. Këtë javë, Johnny Depp u shfaq në Red Sea International Film Festival në Xheda të Arabisë Saudite për të promovuar projektin e tij të tretë, mbështetur nga In.2 në bashkëpunim me Svetlana Dali dhe Grace Loh.
Filmi, i ndërtuar mbi rikthimin e djallit në Moskë dhe mbi një grua – Margarita e titullit – që bën një pakt me të për të shpëtuar të dashurin e saj, Mjeshtrin, autor i një romani për Ponc Pilatin që askush nuk pranon ta botojë, do të realizohet në bashkëpunim me Tribune Pictures, shkruan Hollywood Reporter. Nuk është ky adaptimi i parë kinematografik i romanit të botuar pas vdekjes në vitin 1966, por që Bulgakovi e shkroi mes viteve 1928–1940 në Bashkimin Sovjetik, duke e vendosur pjesërisht në Moskën e viteve ’30 dhe pjesërisht në Jerusalem në kohën e Pilatit.
Një nga këto adaptime, në fakt, është realizuar në rusisht nga regjisori ruso-amerikan Michael Lockshin, i cili ka paditur në Kaliforni Dali-n dhe Loh-n, bashkëproducentët e Depp-it, duke i akuzuar se kanë penguar shpërndarjen e filmit të tij në Shtetet e Bashkuara.
Versioni i Lockshin-it u xhirua në vitin 2021, por arriti të shfaqej në kinema ruse vetëm në janar 2024, duke u bërë shpejt një sukses i madh në arkë, pavarësisht reagimeve të autoriteteve ruse. “Në Rusi më konsiderojnë disident. Filmi në fund u censurua për pozicionet e tij politike, por u kthye në një sukses të jashtëzakonshëm mes kritikëve dhe publikut,” kujton regjisori, i cili, megjithë faktin se siguroi një shpërndarje evropiane, pretendon tani se është penguar në Shtetet e Bashkuara për shkak të letër-kërkesave të vazhdueshme cease-and-desist të dërguara nga aleatët e Depp-it, të cilët pretendojnë se mbajnë të drejtat ekskluzive për adaptimin anglisht të romanit të Bulgakovit.
Burimi: ansa.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
