Aktori Johnny Depp është në bisedime për t’u rikthyer në rolin e Kapiten Jack Sparrow në filmin e gjashtë të sagës “Piratët e Karaibeve”.
Mundësinë e rikthimit e la të hapur producenti Jerry Bruckheimer gjatë pjesëmarrjes së tij në një event të fundit të Disney-t.
“Po flasim me Johnny-n, po punojmë për skenarin dhe shpresojmë që të arrijmë ta përfundojmë”, bëri të ditur Bruckheimer ditën e djeshme, më 16 gusht.
Sipas Daily Mail, filmi i gjashtë i serisë pritet të përqendrohet te një personazh i ri, të cilin do ta interpretojë Margot Robbie. Megjithatë, drejtuesit e produksionit dëshirojnë që Johnny Depp t’i bashkohet sërish kastit në rolin e Jack Sparrow.
Nëse rikthimi i Depp realizohet, ky do të jetë filmi i parë i “Piratëve të Karaibeve” që nga “Pirates of the Caribbean: Dead Men Tell No Tales”, i cili u shfaq në kinema në vitin 2017.
Depp e interpretoi për herë të parë personazhin ikonë në vitin 2003, në filmin “Pirates of the Caribbean: The Curse of the Black Pearl”.
Filmi i parë gjeneroi më shumë se 654 milionë dollarë në arkat globale, ndësa pesë filmat e parë të serisë kanë arkëtuar në total më shumë se 4.5 miliardë dollarë në të gjithë botën.
Johnny Depp mbetet veçanërisht i lidhur me figurën e Kapiten Jack Sparrow, një rol që e shndërroi në një prej aktorëve më të njohur të kinemasë . Interpretimi i tij në “Piratët e Karaibeve” i dha personazhit një stil unik dhe e bëri Jack Sparrow një nga figurat më të dashura të sagës./mxh
