Përfaqësuesi ligjor i Selena Gomez e ka cilësuar plotësisht të pabazë padinë e ngritur nga disa investitorë, të cilët e akuzojnë për mashtrim lidhur me startup-in e shëndetit mendor Wondermind, të cilin ajo e bashkëthemeloi me nënën e saj, Mandy Teefey, bën të ditur the New York Times.
Deklarata e ekipit të saj ligjor vjen pas padisë së depozituar të enjten, më 13 gusht, në një gjykatë federale. Padia është ngritur si ndaj këngëtares, ashtu edhe ndaj nënës së saj. Investitorët pretendojnë se kompania u kishte dhënë një pasqyrë të rreme për ecurinë e biznesit dhe strukturën e saj drejtuese, ndërsa akuzojnë Gomez dhe Teefey se kishin mbledhur prej tyre rreth 1.2 milionë dollarë.
Avokati i këngëtares, Matthew S. Rosengart, i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka bërë të ditur se ekipi ligjor i Gomez do të ndërmarrë menjëherë hapa kundër tyre.
“Pretendimet se Selena Gomez është përfshirë në çfarëdo mënyre në ndonjë ‘mashtrim’ të pretenduar apo veprim tjetër të paligjshëm janë plotësisht të pabazuara. Do t’i kundërshtojmë me vendosmëri këto pretendime të rreme dhe, në fakt, po paraqesim kërkesë për rrëzimin e këtyre pretendimeve të pabazuara kundër saj”, deklaroi ai.
Sipas padisë, Selena Gomez kishte nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës do të përfshihej aktivisht në zhvillimin e kompanisë, në rolin e drejtoreshës së marketingut. Megjithatë, investitorët pretendojnë se më vonë ajo “e shkeli” marrëveshjen.
Në padi thuhet se nuk u realizuan as fushatat promovuese me personazhe të njohura, si dhe marrëveshjet e reklamimit që u ishin paraqitur investitorëve si plane të ardhshme.
Paditësit pretendojnë gjithashtu se Wondermind “u shemb në heshtje para syve të tyre”, ndërsa asnjë nga themeluesit, drejtuesit apo anëtarët e bordit nuk u tha asgjë investitorëve./mxh
