Jonida Maliqi duket se po e përjeton dashurinë në një tjetër mënyrë, tashmë në një fazë më të pjekur të jetës. E ftuar në “Live From Tirana”, këngëtarja foli për ndryshimet që ka sjellë mosha dhe eksperiencat personale në mënyrën se si e sheh veten, marrëdhëniet dhe njerëzit që ka pranë.
Ajo tregoi se me kalimin e viteve ka mësuar të mos ndikohet aq shumë nga opinioni i të tjerëve dhe të jetë më selektive me energjinë që investon tek njerëzit. Për Jonidën, përvojat e jetës kanë shërbyer si një filtër që e ka ndihmuar të kuptojë se cilat gjëra dhe persona kanë vërtet rëndësi.
Në këtë kapitull të ri duket se një vend të veçantë zë edhe marrëdhënia e saj me Alessio Alian, ish-banorin e “Big Brother VIP 5”. Jonida e pranon hapur ndjenjën që ka për të, por zgjedh ta mbajë lidhjen larg ekspozimit të tepruar publik.
Këngëtarja shpjegoi se dëshira për privatësi lidhet edhe me faktin se të dy janë prindër dhe kanë familjet e tyre, ndaj nuk duan që marrëdhënia të kthehet në objekt titujsh apo komentesh mediatike.
Duke folur për raportin e tyre, Jonida pranoi gjithashtu se distanca nuk është gjithmonë e lehtë. Një marrëdhënie në distancë, sipas saj, sjell edhe mallin e ribashkimeve, edhe momente pasigurie e largësie emocionale.
Megjithatë, ajo duket se fokusohet te ajo që kjo marrëdhënie i sjell në jetën e saj. Duke folur për Alessio-n, Jonida e përshkroi në një mënyrë tepër të veçantë:
“Alessio hera-herës më kthen fëmijën që kam brenda dhe është gjëja më e bukur në botë.”/mxh
