Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka deklaruar se Rusia nuk po tregon asnjë interes të vërtetë për paqe, duke iu referuar sulmeve të fundit në Kiev.
Në një konferencë për media, Kallas u shpreh se sulmet ruse dhe kërcënimet ndaj diplomatëve të huaj në kryeqytetin ukrainas përbëjnë, sipas saj, sinjal të qartë të krimeve të luftës.
“Siç kanë treguar sulmet e fundit në Kiev, Rusia ende nuk ka interes real për paqe. Kërcënimi i drejtpërdrejtë për të vrarë diplomatë të huaj në Kiev është një njoftim publik i një krimi lufte,” deklaroi ajo.
Kallas theksoi gjithashtu se Bashkimi Europian nuk mund të jetë një ndërmjetës neutral mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi mbështet qartë Kievin dhe sigurinë e vet evropiane.
“Një gjë është e qartë: Europa nuk do të jetë kurrë një ndërmjetës neutral mes Rusisë dhe Ukrainës, sepse ne jemi në anën e Ukrainës dhe po mbrojmë interesat tona themelore të sigurisë,” u shpreh ajo.
Sipas saj, çdo lëshim deri tani është bërë nga pala ukrainase, ndërsa Rusia duhet të bëjë gjithashtu lëshime për të mundësuar një proces real negociatash.
Megjithatë, Kallas theksoi se vetëm Ukraina dhe Rusia mund të marrin vendime për çështjet thelbësore të konfliktit, ndërsa vendet e tjera mund të luajnë rol në nxitjen e dialogut përmes diplomacisë ndërmjetëse.
Ajo shtoi se një armëpushim pa kushte duhet të jetë parakusht për çdo negociatë paqeje dhe se Rusia duhet të ndalë sulmet, sabotimet, sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet në proceset zgjedhore në Europë.
Në fund, Kallas nënvizoi se përpjekjet e Bashkimit Europian janë në koordinim me Shtetet e Bashkuara, por jo në zëvendësim të tyre.
“Ne nuk po vijmë në vend të SHBA-së, por po adresojmë çështjet që nuk janë trajtuar në këto bisedime,” deklaroi ajo./mxh
