Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka paralajmëruar për përshkallëzim të tensioneve me Perëndimin, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të rrisin praninë ushtarake në Poloni.
Duke folur për mediat, Zakharova tha se një zhvendosje e mundshme e bazave dhe trupave amerikane drejt vendeve të Europës Lindore, që Moska i konsideron më pak të besueshme, drejt Polonisë, e cila sipas saj ndodhet “shumë pranë kufijve perëndimorë të Rusisë”, është e papranueshme.
Ajo paralajmëroi se një veprim i tillë do të detyronte Rusinë të marrë masa ushtarako-teknike për të garantuar sigurinë e saj dhe do të çonte në rritje të ndjeshme të tensioneve në Europë.
Sipas saj, vendet europiane po mbajnë një qëndrim gjithnjë e më provokues ndaj Rusisë, çka vetëm sa rrit rrezikun e përshkallëzimit.
Deklaratat e Moskës vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi dërgimin e 5 mijë trupave shtesë amerikane në Poloni, duke përmendur marrëdhëniet e tij me presidentin polak Karol Nawrocki.
Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi zyrtarë amerikanë kishin sinjalizuar një rishikim të pranisë ushtarake të SHBA-së në Europë, në kuadër të kërkesave për një rol më të madh të NATO-s në mbrojtjen e kontinentit./mxh
