Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i rëndësishëm i Evropës, pavarësisht kritikave të ashpra të administratës së Donald Trump, të paraqitura në dokumentin e ri të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.
Në dokumentin e publikuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë gjatë natës së së enjtes, administrata amerikane pretendon se Evropa rrezikon “zhdukje civilizimi” dhe se mund të humbasë statusin si një aleate e besueshme. Strategjia e re e përshkruan BE-në si anti-demokratike dhe të pambështetur tek vetja, duke theksuar se qëllimi i SHBA-së duhet të jetë “të ndihmojë Evropën të korrigjojë kursin aktual”.
Duke folur në një panel në Forumin e Dohas në Katar, Kallas pranoi se një pjesë e kritikave mund të jetë e vërtetë, veçanërisht sa i përket nënvlerësimit të fuqisë së Evropës ndaj Rusisë.
“Duhet të jemi më vetëbesues,” tha ajo, duke shtuar se “SHBA mbetet aleati ynë më i madh”.
Kallas theksoi se, edhe pse palët nuk kanë qenë gjithmonë dakord për çdo çështje, parimi bazë i partneritetit transatlantik mbetet i fortë. “Ne jemi aleatët më të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë bashkë,” u shpreh ajo.
Në sallë ishin të pranishëm edhe figura të njohura politike amerikane, përfshirë Hillary Clinton dhe Donald Trump Jr., ndërsa panelistët zhvilluan diskutime mbi rolin global të Evropës dhe marrëdhëniet e saj me SHBA-të.
