Qeveria e Kanadasë ka paraqitur një projektligj të ri që do t’u ndalonte fëmijëve nën moshën 16 vjeç të kenë llogari në rrjetet sociale dhe do të vendoste rregulla më të forta për shërbimet e inteligjencës artificiale (IA), në një përpjekje për të mbrojtur të rinjtë nga dëmet në internet.
Ministri kanadez i Kulturës, Marc Miller, tha se siguria e fëmijëve nuk mund të lihet pas dore, duke theksuar se pasojat e përmbajtjeve të dëmshme në internet mund të jenë shumë serioze. Projektligji i quajtur “Digital Safety Act” e vendos Kanadanë mes vendeve që po ashpërsojnë kontrollin ndaj platformave sociale.
Sipas propozimit, fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen të hapin ose të mbajnë llogari në rrjetet sociale. Megjithatë, kompanitë mund të përfitojnë nga një përjashtim nëse arrijnë të dëshmojnë se kanë masa të mjaftueshme mbrojtëse për përdoruesit e mitur.
Ligji parashikon gjithashtu që rrjetet sociale dhe platformat me përmbajtje për të rritur të marrin masa për të kufizuar ekspozimin e përdoruesve ndaj materialeve të dëmshme. Përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale do të duhet të etiketohen qartë, në mënyrë që përdoruesit të dinë se ato janë gjeneruar në mënyrë sintetike.
Mbikëqyrja e rregullave të reja do t’i besohet një Komisioni për Sigurinë Dixhitale. Kompanitë që nuk respektojnë kërkesat mund të përballen me gjoba deri në 10 milionë dollarë kanadezë ose deri në 3 për qind të të ardhurave të tyre globale.
Ministrja e Shëndetësisë, Marjorie Michel, tha se ligji do të krijojë një mjedis më të sigurt për të rinjtë, duke i nxitur ata të ndërtojnë miqësi në jetën reale, të përqendrohen më shumë në shkollë dhe të zhvillojnë aftësi praktike.
Përveç rrjeteve sociale, projektligji synon të rregullojë edhe chatbot-et e inteligjencës artificiale. Kompanitë do të detyrohen të kufizojnë prodhimin e përmbajtjeve të dëmshme dhe të jenë transparente për mënyrën se si reagojnë në situata krize, si rastet kur një përdorues shfaq qëllime për të dëmtuar veten ose persona të tjerë.
Kanadaja ndjek kështu shembullin e vendeve të tjera si Australia dhe Indonezia, të cilat kanë ndërmarrë masa të ngjashme për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale, ndërsa disa qeveri evropiane po shqyrtojnë politika të ngjashme./mxh
