Artisti i njohur Ye ka shkaktuar një valë të madhe reagimesh në rrjet pasi njoftoi papritur një koncert të vetëm në Los Angeles. Eventi me titull “YE – Live in Los Angeles” është planifikuar të mbahet më 3 prill 2026 në SoFi Stadium në Inglewood, me fillim në orën 19:00.
Koncerti është prezantuar si performanca e tij e vetme në qytet dhe menjëherë pas njoftimit interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm. Sipas raportimeve që po qarkullojnë në rrjet, më shumë se 1 milion persona janë futur në radhën online për të siguruar bileta.
Kapaciteti i SoFi Stadium është rreth 70 mijë spektatorë, por kërkesa për bileta duket se e ka tejkaluar shumëfish këtë shifër. Ky interes i madh tregon edhe një herë ndikimin e madh që Ye vazhdon të ketë në industrinë e muzikës dhe kulturën pop.
Sipas disa përllogaritjeve që po qarkullojnë në internet, nëse kërkesa e madhe për bileta do të përkthehej në shitje të mundshme, vlera potenciale e tregut për këtë koncert mund të arrinte deri në 430 milionë dollarë. Megjithatë, të ardhurat reale nga eventi do të varen nga numri i vendeve, çmimet përfundimtare të biletave, paketat VIP dhe shitjet e tjera të lidhura me koncertin./mxh
