Komisionerja europiane për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos ka ndarë detaje lidhur me takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxhën.
Në postimin e saj në platformën “X”, Kos shprehet se aktualisht Shqipëria është një nga vendet kryesuese në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ndërkohë bën me dije se po ecet përpara me diskutimet mbi standardet e ndërmjetme për sundimin e ligjit.
Kos shprehet se në takimin me Hoxhën ka theksuar nevojën për zbatim të besueshëm të standardeve të ndërmjetme për Shqipërinë, për të ruajtur vrullin në negociatat e pranimit. Ajo e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për të arritur standardet e BE-së për sundimin e ligjit, anti-korrupsionin dhe demokracinë.
“Shqipëria është aktualisht një nga vendet në krye të procesit të anëtarësimit në BE. Kjo vjen me pritshmëri të larta. Tani po përparojmë me diskutimet mbi standardet e ndërmjetme për sundimin e ligjit. Me Ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha unë theksova nevojën për zbatim të besueshëm të standardeve të ndërmjetme për Shqipërinë, për të ruajtur vrullin në negociatat e pranimit. Ky është një hap i rëndësishëm për të arritur standardet e BE-së për sundimin e ligjit, anti-korrupsionin dhe demokracinë”, thuhet në postimin e Kos./mxh
