Last Updated on 24/02/2026 by Anisa
Rreth 30 kamionë të tonazhit të rëndë kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare të Qafë Thanës për shkak të një segmenti rrugor të prishur në itinerarin e zakonshëm Qafë Thanë–Elbasan. Drejtuesit e mjeteve presin prej ditësh, duke u përballur me kushte të vështira dhe mungesë të ushqimit dhe ujit.
Prishja e rrugës ka detyruar shumë kamionë të zgjedhin itinerare alternative përmes territorit të Maqedonisë së Veriut, çka ka shkaktuar rritje të menjëhershme të fluksit në pikën kufitare të Qafë Thanës dhe krijimin e pritjeve të gjata.
“Pritja është bërë e vështirë, edhe pse kemi familje dhe fëmijë me vete. Kemi katër ditë këtu dhe kemi mbetur pa bukë. Do hamë atë që ka mbetur tani. Po fllemë në kabinë dhe shpresojmë që të hapet rruga nga pala shqiptare,” tha një nga shoferët e bllokuar.
Një tjetër drejtues shtoi: “Jemi këtu që nga e diela, moti është i ftohtë, dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Shpresojmë që rruga të hapet sa më shpejt. Shpenzimet për kompaninë janë të mëdha, por problemet janë akoma më të mëdha.”
Autoritetet shqiptare raportojnë se gjatë 24 orëve të fundit në Qafë Thanë kanë hyrë 1,510 shtetas dhe kanë dalë 1,703 shtetas, një tregues i rritjes së konsiderueshme të lëvizjes në këtë pikë kufitare, si pasojë e devijimeve të detyruara të trafikut.
Situata e krijuar tregon pasojat e mungesës së një rrjeti të mirë mirëmbajtur rrugor dhe nevojën për ndërhyrje urgjente për të shmangur krizë të mëtejshme në transportin ndërkombëtar./A.D
