Last Updated on 24/02/2026 by Anisa
Këtë të martë u zhvillua seanca e radhës lidhur me çështjen “Gërdeci”, ku u diskutuan zhvillimet e fundit dhe situata e procedurës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Pas përfundimit të seancës, Mediu dha një prononcim për mediat, duke theksuar shqetësimet e tij mbi mënyrën se si po trajtohet procesi. Ai deklaroi se nuk mund të vazhdohet me një proces që bazohet vetëm në aludime se çfarë ka ndodhur dhe pa prova konkrete.
“S’mund të vazhdojë një proces me aludime se çfarë ka ndodhur. Ato që pretendon prokuroria si prova s’kanë lidhje me ministrin. S’ka akt ligjor kushtetues që ministri mund të ketë bërë shpërdorim detyre,” u shpreh Mediu.
Ai gjithashtu kritikoi mënyrën se si po administrohen provat nga prokuroria, duke theksuar se janë paraqitur vetëm akte dhe dokumente, pa prova të drejtpërdrejta që të lidhin ish-ministrin me veprën penale të pretenduar.
Një tjetër pikë që Mediu solli në vëmendje ishte lidhur me gjyqtarin që do të shqyrtojë çështjen: sipas tij, gjyqtari i paraprak nuk mund të jetë i njëjtë me atë që do të marrë çështjen në gjykim të thelbit.
Ai parashtroi qëndrimet e tij të përsëritura dhe në seancat e mëparshme se akti ekspertimit i nënshkruar nga dy ekspertë amerikanë, nuk përcakton se zjarri është shkaktuar nga saldimi i një karroce, ashtu si pretendon SPAK. Sipas Mediut, përfundimet e ekspertëve amerikanë nuk kanë përcaktuar një shkak konkret për shkaktimin e zjarrit.
Ish-ministri cilësoi të pavlefshëm aktin e ekspertimit të kryer në hetimin e mëparshëm të kësaj ngjarje nga ekspertët shqiptarë me kërkesë të prokurorisë, duke pretenduar se ekspertët nuk kanë pasur kompetenca për një ekspertim të tillë.
Mediu theksoi se VKM-të e ngarkonin ministrin me detyra administrative dhe se për pjesën tjetër ishin forcat e armatosura përgjegjëse. Ai shmangu nga vetja të gjitha përgjegjësitë lidhur me mënyrën se si u krye procesi demontimit të municioneve luftarake në Gerdec. Pasi paraqiti kundërshtitë e tyij ndaj provave të rokurorisë për më shumë se dy orë, gjyqtarja Irena Gjoka konstatoi se duhet të vijonte në një tjetër process dhe e shtyu seancën për më datë 10 mars, në orën 09:00.
Gjatë një seance të zhvilluar më 23 dhjetor të vitit të kaluar, SPAK paraqiti provat në çështjen penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke theksuar se ai kishte dijeni për një vendimmarrje që lejoi demontimin e municioneve me kalibër të madh. Ndërkohë, u kërkua dhe administrimi i një faksi të dërguar nga Ministria e Drejtësisë, ku shënohet emri i djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit të marsit 2008 në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të viteve 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe, për rrjedhojë, nuk ekziston asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Çështja ndaj Mediut kaloi për gjykim më 6 prill të vitit 2023 dhe ndodhet aktualisht në fazën e paraqitjes së provave nga ana e SPAK./A.D
