Last Updated on 16/10/2026 by Anisa
Paralajmërimi i kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, për protesta që sipas tij mund të shoqëroheshin me akte dhune, është pasuar këtë të premte nga dalja në protestë e disa gjimnazistëve në qytet. Nxënësit kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar lëvizjes së studentëve në kryeqytet, ndërsa tentativa e tyre për të hyrë në bashki është ndalur nga kordoni policor.
Protesta studentore që ka nisur në Tiranë po shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit. Këtë të premte, në lëvizje janë përfshirë edhe gjimnazistë në Lezhë, të cilët kanë lënë klasat dhe janë mbledhur për të shprehur mbështetjen e tyre për protestën e të rinjve në kryeqytet.
Sipas informacioneve paraprake, një grup nxënësish kanë tentuar të futen në ambientet e Bashkisë së Lezhës, por nuk kanë mundur të kalojnë kordonin e krijuar nga policia, e cila ka bllokuar hyrjen.
Zhvillimet në rrugët e qytetit vijnë në një moment kur kryebashkiaku Pjerin Ndreu kishte paralajmëruar publikisht për mundësinë e protestave dhe të akteve të dhunës.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, nxënësve dhe prindërve, Ndreu pretendoi se kishte informacione për përpjekje nga struktura të Partisë Demokratike në Lezhë për të organizuar mobilizime që mund të shoqëroheshin me dhunë.
Ai theksoi se e drejta e protestës është e garantuar dhe se qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin pakënaqësitë e tyre, por kundërshtoi atë që e cilësoi si keqpërdorim të nxënësve dhe mësuesve për qëllime politike.
“Protesta është e drejtë kushtetuese. Dhuna dhe shkatërrimi nuk janë të drejta të askujt!”, deklaroi Ndreu, duke paralajmëruar gjithashtu se personat që nxisin apo ushtrojnë dhunë duhet të përballen me përgjegjësitë ligjore.
Kryebashkiaku e lidhi paralajmërimin e tij me atë që e quajti interesa politike të Sali Berishës dhe u bëri thirrje qytetarëve që çdo protestë ta zhvillojnë në mënyrë paqësore, pa rrezikuar nxënësit, qytetarët dhe pronën publike apo private.
Megjithatë, këtë të premte, gjimnazistët kanë dalë në rrugë, duke e zhvendosur protestën edhe në Lezhë. Mbetet për t’u parë nëse gjatë orëve në vijim do t’u bashkohen edhe nxënës të tjerë dhe si do të vijojë situata në qytet.
Deri më tani, tentativa për të hyrë në bashki është penguar nga policia. Ndërkohë, protesta e të rinjve në Lezhë vjen në kuadër të lëvizjes më të gjerë studentore që po zhvillohet në vend.
Reagimi i kryebashkiakut Pjerin Ndreu:
Të nderuar qytetarë lezhjanë, nxënës dhe prindër!
Ka informacione për përpjekje nga struktura të PD-së në Lezhë për mobilizime dhe protesta që mund të shoqërohen me akte dhune nesër në qytetin tonë!
E drejta e protestës është e shenjtë dhe në Lezhë nuk i është mohuar askujt, asnjëherë! Kush ka pasur arsye për të protestuar, e ka bërë lirisht dhe pa pengesa.
Por përfshirja apo keqpërdorimi i nxënësve dhe i mësuesve për qëllime politike, aq më tepër si fasadë për veprime të paligjshme, është e papranueshme dhe bie ndesh me kulturën qytetare të Lezhës!
Protesta është e drejtë kushtetuese. Dhuna dhe shkatërrimi nuk janë të drejta të askujt!
Kushdo që nxit apo ushtron dhunë duhet të përballet me përgjegjësitë që parashikon ligji. Askush nuk ka të drejtë të krijojë kaos në qytetin tonë për interesat apo humorin politik të Sali Berishës apo të kujtdo tjetër!
U bëj thirrje të gjithëve që kanë arsye për të protestuar, ta bëjnë këtë me qytetari, dinjitet dhe respekt për ligjin, duke ruajtur sigurinë e nxënësve, qytetarëve dhe pronës publike e private.
Lezha është qytet i njerëzve të lirë, jo arenë e skenarëve të dhunës!
Protestoni sa të doni, por dhunën mos e sillni në Lezhë!
