Last Updated on 09/09/2026 by EL
Kanë nisur punimet për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në qytetin e Durrësit, që synon modernizimin dhe zgjerimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas tij, projekti mbështetet me rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, ndërsa financimi do të plotësohet edhe nga Agjencia Franceze për Zhvillim.
Karakaçi e cilësoi investimin si një nga projektet më të rëndësishme për transformimin e sistemit të ujërave të ndotura në Durrës.
“Nisim sot në Durrës punimet për një nga investimet më të rëndësishme për qytetin dhe për transformimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura”, shkroi ministri.
Projekti parashikon modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura, si dhe rehabilitimin e rrjeteve ekzistuese të kanalizimeve.
Sipas ministrit, kjo është vetëm faza e parë e investimit. Faza e dytë do të përfshijë zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet, Porto Romano dhe Spitallë, me Bashkimin Evropian që do të financojë përmes grantit rreth dy të tretat e vlerës së investimit.
Në total, projekti parashikon ndërtimin e rreth 113 kilometrave rrjete të reja, 4 stacioneve të pompimit dhe rreth 13 mijë lidhjeve të reja të kanalizimeve.
Karakaçi theksoi gjithashtu se përgjatë viteve të ardhshme, Shqipëria ka siguruar financime të konsiderueshme për projekte në sektorin e trajtimit të ujërave të ndotura. Sipas tij, për periudhën 2027–2030 janë gati financimet për projekte me një vlerë totale prej rreth 330 milionë euro.
Ministri e konsideroi mbështetjen financiare të BE-së si një dëshmi të përfitimeve që sjell procesi i integrimit evropian për Shqipërinë.
“Kjo është dëshmi e qartë e përfitimeve nga hyrja në Bashkimin Evropian”, deklaroi Karakaçi, duke shtuar se financimet pritet të zgjerohen çdo vit me afrimin e Shqipërisë drejt BE-së. Investimi në Durrës, sipas ministrit, është pjesë e angazhimit të qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura në vend./et
