Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Deputeti socialist Erion Braçe ngriti të enjten në seancë plenare kritika të forta ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për mënyrën se si po përdoret koha parlamentare dhe për mos shfrytëzimin e instrumenteve të kontrollit parlamentar në çështje që sipas tij janë urgjente për qytetarët.
Braçe tha se koha e foltores po “shpërdorohet” për tema që nuk janë në rendin e ditës dhe jo për çështje që lidhen me përgjegjësinë e qeverisë, duke iu referuar kërkesës së tij për një interpelancë me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, për mos‑hapjen e shkollës “Edith Durham” në Tiranë.
Ai u shpreh se institucioni parlamentar ka një “racion kohe” për debatet që kërkojnë kontroll parlamentar dhe se kjo kohë nuk duhet të menaxhohet si një mall i kursyer, por sipas urgjencës së çështjeve. Braçe theksoi se ai ka depozituar kërkesën për interpelancë që më 2 shkurt, por më shumë se katër javë më vonë kjo nuk është zhvilluar ende, edhe pse rregullorja e Kuvendit parashikon një afat prej tre javësh për këtë lloj procedure.
“Kryetar, java tjetër, është javë e gjelbër, ndërsa javës tjetër bëhen 4 javë nga kërkesa për një interpelancë me ministren e arsimit. Po shoh që Ministrja e Arsimit është këtu dhe shoh që ky është një problem i Parlamentit. Çështja për të cilën unë interesohem, ka të bëjë, me hapjen e shkollës Edith Durham, e cila ka mbaruar në 1 tetor dhe jemi në datë 19 shkurt dhe nuk është hapur akoma.
Në këtë sallë harxhohet koha për çështje që nuk janë në rendin e ditës, dhe për çështje që kanë të bëjnë me kontrollin e Parlamentit mbi qeverinë, koha është me racion. Tani interpelancat, nuk mund të jenë me racion. Po ju them që kam kërkuar me 2 shkurt, dhe afati që jep rregullorja është tre javë. Ndërkohë atje janë 850 nxënës që shkojnë turni i dytë. 1700 prindër, duhet të marrin një përgjigje se kur hapet shkolla e 11 janarit. Instrumenti parlamentar i kontrollit parlamentar nuk mund të përdoret me racion. “
Në thelb, Braçe argumenton se mos‑hapja e shkollës përtej afatit dhe mos‑zhvillimi i interpelancës së kërkuar është një problem serioz që ndikon drejtpërdrejt në nxënësit dhe familjet e tyre, dhe kërkon që Parlamenti të trajtojë këtë çështje me prioritet./A,D
