Last Updated on 24/02/2026 by Anisa
Me rastin e katërvjetorit të nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainë, Ambasada e Ukrainës në Tiranë organizoi një ceremoni përkujtimore në Sheshi Skënderbej, në nderim të viktimave të luftës dhe në shenjë solidariteti me popullin ukrainas.
Në ceremoni ishte i pranishëm ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe trupit diplomatik.
Gjatë fjalës së tij, Gonzato theksoi se vendosja e paqes në Ukrainë mbetet prioritet, ndërsa agresioni rus duhet të marrë fund. Ai kujtoi fillimin e luftës, duke u shprehur se pas katër vitesh konflikt, Bashkimi Evropian është i vendosur të shohë përpara, drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe një paqeje afatgjatë.
“Paqja duhet të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme, e mbështetur në garanci të forta sigurie. Ndërsa Ukraina ka demonstruar vazhdimisht gatishmëri për paqe, Rusia ka vijuar sulmet. Nuk mund të pranohet që agresioni të shpërblehet”, u shpreh ai.
Ambasadori nënvizoi se respektimi i integritetit territorial dhe llogaridhënia për vuajtjet e shkaktuara janë thelbësore për sigurinë ndërkombëtare. Sipas tij, nëse agresioni normalizohet, atëherë cenohet rendi ndërkombëtar dhe bëhet i negociueshëm integriteti i shteteve sovrane.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ushtrojë presion diplomatik dhe të mbështesë përpjekjet për garantimin e drejtësisë, derisa të arrihet një paqe e sigurt dhe e qëndrueshme. Në përfundim, Gonzato falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës, duke theksuar rëndësinë e unitetit mes vendeve anëtare të BE-së dhe atyre në proces integrimi.
