Belind Këlliçi ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për propagandë, korrupsion dhe dështime në procesin e integrimit europian.
“Mund të ndryshosh lokacionin ku mban Asamblenë, po pallavrat, mashtrimet e propaganda e lodhur ngelen po të njëjta”, shprehet Këlliçi në deklaratën e tij.
Ai thekson se, sipas tij, integrimi i Shqipërisë është dëmtuar rëndë nga veprimet e qeverisë: “Fakt është se integrimi i Shqipërisë ka marrë goditjen më të madhe ndonjëherë pasi Edi Rama zgjodhi të mbrojë korrupsionin dhe veten e tij në Kuvend, duke zmbrapsur drejtësinë.”
Në vijim, Këlliçi ndalet edhe te çështja e rritjes së çmimit të karburanteve: “Fakt është se Edi Rama është i vetmi kryeministër që ka vetëm mashtrime lidhur me rritjen e çmimit të naftës, asnjë masë konkrete deri më tani.”
Ai hedh akuza edhe për procesin zgjedhor, duke iu referuar vëzhgimeve të organizatave ndërkombëtare si OSBE-ODIHR, EPP dhe Parlamenti Europian: “Fakt është se tabelat e shifrat elektorale, fshehin masakrën elektorale, e pranuar kjo nga OSBE-ODIHR, nga EPP dhe nga qëndrimet e Parlamentit Europian.”
Në fund, ai ironizon deklaratat e kryeministrit dhe bën thirrje për mobilizim qytetar: “Ai mund të tallet deri në nivelin që thotë se do prodhojë zjarrfikëse, kur nuk është në gjendje të shuajë një zjarr në verë, por fakt është se emergjenca më e madhe civile për vendin është largimi i tij nga zyra. Mblidhemi bashkë nesër, e dielë, në orën 18:00, i tregojmë vendit dhe botës se duam integrimin, jo korrupsionin.”
