Last Updated on 30/03/2026 by Kesjana
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot ministrat për të bërë një panoramë të procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se ky proces konsolidon institucionet e drejtësisë, të cilat sipas tij tani kanë pavarësinë që se kanë pasur kurrë.
Ndër të tjera shtoi se në procesin e konsolidimit institucionet e drejtësisë duhet të rrisin profesionalizmin, pavarësinë dhe cilësinë e shërbimeve.
Më tej u shpreh se dy fusha ku progresi i Shqipërisë është i kufizuar janë prokurimi publik dhe kontrolli financiar. Po ashtu cilësoi sigurinë ushqimore si një nga sfidat më të mëdha.
“Ky proces konsolidon institucionet e drejtësisë që kanë kaluar në një fazë tjetër pasi kanë pavarësinë që se kanë pasur kurrë. Në procesin e konsolidimit ata duhet të rrisin profesionalizmin, pavarësinë dhe cilësinë e shërbimeve të tyre. Ky proces siguron luftën kundër korrupsionit, jo si një luftë që zhvillohet në frontin e fenomenit të korrupsionit por edhe në atë të modernizimit të transformimit institucional dhe realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për të parandaluar korrupsionin.
Dy gjëra që më bien në sy në prezantimin e bërë. E para domosdoshmëria për të kaluar nga drita e kuqe në dritën jeshile të prokurimi publik. Ne kemi bërë progres të madh por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë që do të thotë edhe plotësimi i këtij aspekti si pjesë e kushteve. E rëndësishme që puna e nisur për modernizimin e prokurimit publik me Inteligjencë Artificiale duhet të vazhdojë intensivisht dhe të kurorëzohet që të na bëjë një vend shembull në këtë aspekt. Kjo duhet bërë brenda kalendarit të negociatave.
Një gjë tjetër është kontrolli financiar ku dhe aty progresi është i kufizuar. Duke e mbyllur me sfidën e sfidave që është siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit. Reforma e inspektimit duhet të vazhdojë dhe është kyç drejtimi politik i reformës nga të gjithë ministritë, në sensin e mbrojtjes nga ndërhyrjet partiake dhe qokat. Duhet të garantohen burime njerëzore cilësore, në mënyrë që niveli i inspektimit të rritet ndjeshëm pasi është kyç për të garantuar të gjitha reformat që po bëhen në këto drejtime. Në fund të ditës çështja shkon te zbatimi dhe monitorimi i vazhdueshëm”, tha Rama./kb
