Protesta të shumta shpërthyen në disa qytete të Kenias, pas rritjes së çmimeve të karburanteve të nxitura nga lufta në Iran, duke paralizuar transportin publik dhe duke lënë shumë qytetarë të bllokuar.
Në disa zona, rrugët kryesore drejt kryeqytetit Nairobi u bllokuan nga protestues dhe operatorë transporti në grevë, ndërsa qytetarët u detyruan të shkonin në punë në këmbë.
Protestuesit thanë se rritja e çmimeve të karburantit ka bërë jetesën të papërballueshme dhe se veprimet e tyre janë një mënyrë paqësore për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve.
Një protestues u shpreh se nafta është thelbësore për ekonominë e vendit dhe se qytetarët nuk kanë mundësi të përballojnë rritjen e vazhdueshme të çmimeve, duke shtuar se bllokimi i rrugëve dhe bojkotimi i punës janë forma legjitime proteste.
Një banore tjetër tha se nuk ka mundur të shkojë në treg për shkak të bllokimeve dhe rritjes së çmimeve të transportit, duke i bërë thirrje presidentit William Ruto të ulë kostot e karburantit.
Një tjetër qytetare u shpreh se rritja e çmimeve të miellit dhe shpenzimeve të jetesës ka rënduar ndjeshëm situatën ekonomike të familjeve, sidomos për gratë që duhet të përballojnë kostot e përditshme.
Autoritetet keniane njoftuan se çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm muajt e fundit si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar në furnizimet globale me naftë dhe gaz.
Në disa zona policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa në rrugë janë ndezur goma për të bllokuar qarkullimin.
Kenya importon pothuajse të gjitha produktet e saj të naftës nga Lindja e Mesme, dhe rritja e çmimeve ka shtuar presionin mbi familjet që përballen me kosto të lartë jetese./mxh
