Last Updated on 02/04/2026 by Anisa
“Emmanuel] Macron – të cilin gruaja e trajton jashtëzakonisht keq. Ende është duke u rikuperuar nga dëmtimi i nofullës”, tha Donald Trump, i cili gjithashtu kritikoi presidentin francez për mospjesëmarrjen në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkaktoi zemërim në Francë të enjten, më 2 prill, pasi u tall me presidentin francez dhe gruan e tij gjatë një dreke private të mërkurën, ndërsa kritikoi ashpër aleatët e NATO-s që nuk iu bashkuan luftës kundër Iranit që ka tronditur Lindjen e Mesme.
“Nuk kishim nevojë për ta, por unë gjithsesi i kërkova,” tha Trump në një drekë private, në një video që u postua shkurtimisht në kanalin YouTube të Shtëpisë së Bardhë dhe më pas u fshi.
“Unë telefonoj Francën, Emmanuel Macron – të cilin gruaja e trajton jashtëzakonisht keq. Ende është duke u rikuperuar nga dëmtimi i nofullës”, tha Trump.
Ai po i referohej një videoje lajmesh të majit 2025 që dukej se tregonte Brigitte Macron duke e shtyrë me pëllëmbë në fytyrë presidentit francez gjatë një udhëtimi në Vietnam, të cilën Macron më vonë e hodhi poshtë si pjesë të një fushate dezinformimi. Në atë kohë, Macron mohoi se kishte ndonjë “mosmarrëveshje familjare” me gruan e tij, duke thënë se ata “po bënin shaka, siç bëjmë shpesh”.
Në një reagim, Macron tha se komentet e Trump për martesën e tij nuk ishin “as elegante dhe as të denja”.
Politikanë francezë, përfshirë disa nga kundërshtarët e Macronit, u indinjuan nga sulmi i Trumpit. “Sinqerisht, kjo nuk është në nivelin e duhur,” tha Yael Braun-Pivet, kryetare e Dhomës së Ulët të Parlamentit francez. “Ne po diskutojmë aktualisht për të ardhmen e botës. Tani në Iran, kjo ka pasoja për jetët e miliona njerëzve; njerëz po vdesin në fushën e betejës, dhe ne kemi një president që qesh, që tall të tjerët,” u shpreh ajo për transmetuesin Franceinfo.
Edhe Manuel Bompard, drejtuesi i partisë radikale të majtë La France Insoumise, u hodh menjëherë në mbrojtje të Macronit. “Jeni të vetëdijshëm për shkallën e mosmarrëveshjeve të mia me presidentin, por që Donald Trump t’i flasë atij kështu dhe të flasë për gruan e tij në këtë mënyrë – e konsideroj absolutisht të papranueshme,” i tha Bompard kanalit të lajmeve BFMTV.
Tallja e Trumpit vazhdoi, duke përmendur edhe luftën në Lindjen e Mesme: “Dhe unë i thashë: ‘Emmanuel, do të donim pak ndihmë në Gjirin Persik, edhe pse po vendosim rekorde në eleminimin e njerëzve të këqij dhe raketave balistike. Do të donim ndihmë. Nëse mundesh, a mund të dërgosh menjëherë anije?’”
Ai pastaj imitoi një aksent francez për të dhënë përgjigjen që i atribuonte Macronit: “‘Jo, jo, jo, nuk mundemi, Donald. Mund ta bëjmë këtë pasi të fitohet lufta,’” tha ai. “Unë i thashë: ‘Jo, jo, nuk më duhet pas fitores në luftë, Emmanuel,’” shtoi Trump.
“Pra, unë mësova për NATO-n – NATO nuk do të jetë aty nëse ndonjëherë ndodh gjëja e madhe, e dini çfarë dua të them me ‘gjëja e madhe’,” tha Trump, pa dhënë shpjegime të mëtejshme. Ai gjithashtu e përshkroi NATO-n si një “tigër letre”./lemonde.fr-fjala.al
