Policia spanjolle ka zbuluar një tunel për trafik droge në enklavën spanjolle të Ceuta, i pajisur me sistem hekurudhor dhe vinça nëntokësor për të transportuar hashash nga Maroku në Spanjë.
Policia njoftoi të martën se struktura, e fshehur nën një magazinë industriale, shtrihej në tre nivele: një zonë zbritjeje, një dhomë e ndërmjetme për magazinimin e paletave dhe vetë tunelin. Spanja është pikë kryesore hyrjeje e hashashit në Evropë. Ceuta, së bashku me Melilla në lindje, formojnë të vetmin kufi tokësor të Bashkimit Evropian me Afrikën.
Autoritetet sekuestruan 17 tonë hashash, në vlerën1.4 milion euro (rreth 1.6 milion dollarë) , dhe arrestuan 27 persona lidhur me këtë operacion.
Hashashi, i nxjerrë nga rezina e kanabisit, zakonisht trafikohet në Spanjë përmes detit me varka të shpejta.
Në vitin 2023, Spanja përbënte 68% të të gjitha sekuestrimeve të rezinës së kanabisit në Bashkimin Evropian, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë Evropiane për Drogat.
Kontrabandistët kanë përdorur herë pas here metoda jo konvencionale për të futur droga të tjera në Spanjë. Në rajonin veriperëndimor të Galicia, zbulohet periodikisht përdorimi i nëndetëseve ose anijeve gjysmë të zhytura për transportin e kokainës nga Amerika e Jugut, duke treguar rolin e vendit si një nyje tranziti për drogën.
