Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas kërcënimeve ndaj avokates Adriana Kalaja, të bëra publike një ditë më parë, duke drejtuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.
Por zhvillimi ka marrë një tjetër kthesë pas reagimit të aktivistes Evi Kokalari. Përmes një postimi në “Facebook”, ajo deklaron se i njëjti person që ka kërcënuar avokaten Kalaja, i ka dërguar edhe asaj mesazh kërcënues për jetën. Ndryshe nga Kalaja, Kokalari thekson se nuk e ka bërë publik mesazhin dhe nuk ka akuzuar askënd.
“Por ndërkohë, i njëjti person më dërgoi edhe mua mesazh duke më kërcënuar jetën, por as nuk e publikova dhe as nuk akuzova publikisht as Ramën dhe as Berishën”, shkruan ajo.
Në reagimin e saj, Kokalari shkon më tej, duke sulmuar drejtuesit e Partisë Demokratike, të cilët i cilëson si “kloun”. Ajo ironizon deklaratën e Berishës, duke e akuzuar për përdorim politik të situatës dhe manipulim të opinionit publik.
“Del Sali Berisha dhe jep deklaratë për shtyp se i kanë kërcënuar jetën Sudes… Sudet gjithmonë i kanë shërbyer Berishës, me mashtrime publikut, për të cilat do hidhen në gjyq së shpejti”, shkruan ajo.
Në përfundim, Kokalari e ashpërson tonin ndaj Berishës, duke cituar se ai “po prek limitin e keqardhjes dhe së shpejti do përfundojë në një element po aq grotesk sa ata që ka vërdallë”.
