Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një armëpushim të përkohshëm 10-ditor sa i përket shkatërrimit të impianteve energjetike në Iran.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Truth, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se ky vendim vjen pas kërkesës zyrtare të qeverisë iraniane.
“Me kërkesë të qeverisë iraniane, po pezulloj periudhën e shkatërrimit të impianteve të energjisë për 10 ditë. Bisedimet po vazhdojnë dhe, pavarësisht deklaratave të gabuara të mediave, ato po shkojnë shumë mirë”, shprehet Donald Trump.
Pezullimi i sulmeve do të jetë në fuqi deri të hënën e 6 prillit 2026, në orën 20:00 sipas kohës lindore në SHBA. Trump theksoi se bisedimet me Teheranin zyrtar janë në vijim e sipër dhe po ecin në rrugën e duhur.
Nga ana tjetër, Teherani nuk ka reaguar ndaj deklaratës së shefit të Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, Agjencia e Lajmeve Tasnim, e lidhur me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, thotë se Teherani i është përgjigjur planit të paqes prej 15 pikash të SHBA-ve, por ka listuar edhe disa kushte për të cilat pret konfirmim.
Sipas BBC, Teherani kërkon që aktet e agresionit dhe vrasjet nga armiku duhet të ndalen, duhet të krijohen kushte objektive për të siguruar që lufta të mos përsëritet, kompensimi dhe dëmshpërblimet e luftës duhet të garantohen, po ashtu fundi i luftës duhet të zbatohet nga të gjitha frontet.
Megjithatë, Irani ka deklaruar herë pas here dyshime në gatishmërinë e Iranit për të negociuar.
Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh të larta, ndërsa situata në terren vijon të jetë e rrezikshme për banorët për shkak të sulmeve./kb
