Aktori i njohur turk, Kerem Bürsin, ka shqetësuar fansat e tij me një postim të fundit në rrjetet sociale, ku ka ndarë disa fotografi nga spitali pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.
39-vjeçari, i cili është një nga aktorët më të komentuar të ekranit turk, ka treguar se ka kaluar një javë të vështirë, ndërsa nga pamjet e publikuara duket se ndodhet në fazën e rikuperimit pas operacionit.
Sipas raportimeve, Bürsin i është nënshtruar një operacioni për hernie diskale në qafë. Ky nuk është problemi i parë i tillë shëndetësor për aktorin, pasi në vitin 2023 ai kishte kryer një tjetër ndërhyrje kirurgjikale për hernie diskale në pjesën e poshtme të shpinës.
Në postimin e tij në Instagram, ku ndiqet nga rreth 11.2 milionë persona, Kerem ka publikuar fotografi nga periudha pas operacionit, ku shfaqet edhe në shoqërinë e miqve që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe.
“Kemi lënë pas një javë shumë të mbushur… Me mirënjohje dhe duke ecur përpara”, shkroi aktori krahas fotografive.
Postimi i tij mori menjëherë vëmendjen e fansave, të cilët u shqetësuan për gjendjen e tij dhe i dërguan qindra mesazhe urimi për një shërim sa më të shpejtë.
Kerem Bürsin është bërë i njohur për publikun me role në seriale të suksesshme si “Waiting for the Sun”, “Ulan Istanbul”, “The Magnificent Duo” dhe “You Knock on My Door”, duke krijuar ndër vite një bazë të madhe fansash edhe jashtë Turqisë./mxh
