Qoftë një fluturim prej dy orësh apo dymbëdhjetë, dhjetëra, madje qindra njerëz ndajnë të njëjtën hapësirë të kufizuar.
“Avioni është një qytet i përkohshëm”, thotë Sophie Vancaeneghem, ish-stjuardesë e Air Belgium dhe Qatar Airways.
Ajo dhe dy ish-pjesëtare të tjera të ekuipazhit japin gjashtë këshilla për një udhëtim më të qetë.
1. Hipni sipas radhës
Prisni derisa të thirret grupi juaj ose rreshti ku keni vendin. Grumbullimi te porta e nisjes mund ta ngadalësojë hipjen në avion, thotë ish-stjuardesa LaWana Boone.
Vancaeneghem kujton pasagjerë që shtynin të tjerët për të hyrë të parët dhe më pas prisnin njëzet minuta në korridor.
2. Përgatituni për pesë minutat e para
Mbajeni gati kartën e imbarkimit për skanim. Para se të hipni, nxirrni nga bagazhi i dorës kufjet, librin ose ilaçet që do t’ju duhen gjatë fluturimit.
Kështu, kur të arrini te sedilja juaj, pasagjerët pas jush mund të vazhdojnë të ecin, shpjegon ish-stjuardesa Saskia Jackson. Kur përsëriten për qindra pasagjerë, edhe pak sekonda pritjeje mund ta vonojnë nisjen, shton Vancaeneghem.
3. Vonesat shpesh janë jashtë kontrollit të ekuipazhit
Moti i keq, kontrollet teknike ose vështirësitë në ngarkimin e bagazheve mund ta shtyjnë nisjen. “Një vonesë prek të gjithë, edhe ekuipazhin”, thotë Vancaeneghem.
Personeli i kabinës mund të ndërhyjë në një mosmarrëveshje mes pasagjerëve, t’ju ndihmojë të gjeni vend për bagazhin e dorës ose t’ju sjellë një zgjatues për rripin e sigurimit.
4. Respektoni hapësirën e përbashkët
Përdorni kufje dhe shmangni ushqimet me erë të fortë. Para se ta ulni mbështetësen e sediljes, njoftoni pasagjerin prapa jush.
Mbajini këmbët jashtë korridorit dhe ndani mbështetëset e krahëve me pasagjerët ngjitur. Edhe shtypja me forcë e ekranit në sediljen përpara ose trokitjet mbi tavolinën e palosshme mund t’i bezdisin ata përreth.
5. Siguria është detyra kryesore e ekuipazhit
Shërbimi i ushqimit dhe i pijeve është pjesa e punës që pasagjerët shohin më shpesh. E
kuipazhi stërvitet për të dhënë ndihmën e parë, për të shuar zjarre, për të menaxhuar konflikte dhe për të evakuuar avionin në rast emergjence. “Stërvitemi për të evakuuar qindra njerëz në 90 sekonda, në kushte ekstreme”, thotë Jackson.
6. Kushtojini vëmendje udhëzimeve
Mbajini dokumentet gati, përshëndeteni ekuipazhin dhe prisni radhën kur të dilni nga avioni. Gjatë demonstrimit të sigurisë, hiqini kufjet dhe dëgjoni udhëzimet, duke i lënë edhe pasagjerët e tjerë t’i dëgjojnë pa ndërprerje.
Kjo ka rëndësi të veçantë nëse jeni ulur në rreshtin pranë një daljeje emergjence, ku ekuipazhi mund t’ju kërkojë të ndihmoni gjatë evakuimit. / Yahoo Life-ad