Këngëtari britanik James Blunt ka nisur zyrtarisht procedurat për ndryshimin e emrit, pasi albumi i tij i ri arriti vendin e parë në klasifikimet muzikore në Mbretërinë e Bashkuar.
Artisti kishte premtuar se do të merrte emrin Ryan Air nëse albumi i tij i tetë, “Airplane Mode”, do të kryesonte listat muzikore. Por duket se ka vendosur të bëjë një ndryshim të vogël, në dokumentin e aplikimit që publikoi në rrjetet sociale, emri i ri shfaqet si Ryan Bel Air.
Blunt ndau me ndjekësit fotografinë e kërkesës për ndryshimin e emrit, duke zbuluar se procedura i ka kushtuar 53.05 paund. Megjithatë, ende nuk dihet nëse kërkesa është miratuar zyrtarisht.
Premtimi i tij ishte një shaka e lidhur me kompaninë ajrore irlandeze Ryanair. Këngëtari kishte deklaruar se do të ndryshonte emrin në Ryan Air nëse albumi “Airplane Mode” do të renditej në vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar. Pasi albumi arriti këtë sukses të premten, ai vendosi ta mbante fjalën.
Ky është gjithashtu albumi i parë i James Blunt që kryeson klasifikimet britanike pas 19 vitesh. Herën e fundit që këngëtari arriti këtë rezultat ishte në vitin 2007, me albumin “All the Lost Souls”. Ndërsa albumi i tij debutues, “Back to Bedlam”, i publikuar në vitin 2005, qëndroi për dhjetë javë në vendin e parë.
Kjo nuk është hera e parë që Blunt vendos kushte të tilla humoristike për ndryshimin e emrit. Në vitin 2024, ai premtoi se do të quhej Blunty McBluntface nëse ribotimi i albumit “Back to Bedlam”, me rastin e 20-vjetorit të tij, do të arrinte vendin e parë. Por albumi u rendit vetëm në vendin e shtatë dhe këngëtari nuk e ndryshoi emrin.
Bashkëshortja e tij, Sofia Wellesley e uroi për suksesin duke publikuar një fotografi të tyre së bashku.
“Numri një. Jam shumë krenare për ty. Por nuk do ta ndryshoj mbiemrin tim”, shkroi ajo me humor.
James Blunt ka lindur me emrin James Hillier Blount. Ai ndryshoi drejtshkrimin e mbiemrit në Blunt, megjithëse të dy variantet shqiptohen njësoj, për ta bërë më të lehtë për publikun ta mbante mend./mxh
