Bashkimi Evropian ka shpallur Kosovën dhe shtatë vende të tjera si të sigurta për azil. Këtë të hënë datë 8 Dhjetor, Këshilli i Europës ka miratuar ligje të reja për migracionin në Bashkimin Europian, duke përcaktuar Kosovën dhe gjashtë vende të tjera si të sigurta.
“Sot, Këshilli ra dakord për qëndrimin e tij mbi dy akte ligjore të BE-së që do të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kyçe të vendeve të sigurta në rregullat e azilit të BE-së. Këto ligje të reja të migracionit të BE-së synojnë të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së.
Këshilli ra dakord që vendet e mëposhtme duhet të përcaktohen si vende të sigurta të origjinës në nivel të BE-së: Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Kosova, Maroku dhe Tunizia”, thuhet në njoftim.
Këshilli gjithashtu ra dakord që t’i lejojë Komisionit të pezullojë përcaktimin e një vendi të sigurt të origjinës në nivel të BE-së, qoftë për të gjithë vendin, qoftë vetëm për pjesë të territorit ose të popullsisë së tij, kur kjo të jetë e arsyeshme.
Shtetet anëtare gjithsesi do të mund të kenë listat e tyre kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës, duke përfshirë edhe vende shtesë jashtë BE-së që nuk gjenden në listën e BE-së. m.p.
