Last Updated on 23/02/2026 by Anisa
Pesë deputetë anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, përfaqësues të opozitës, kanë rekomanduar miratimin nga Kuvendi të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj deputetes Belinda Balluku.
Rekomandimi është mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenet 260, 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale, përveç neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit.
Sipas dokumentit, Këshilli rekomandon që deputetët në seancë plenare të votojnë pro kërkesës nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025, të paraqitur nga SPAK.
R E K O M A N D O J N Ë:
Deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për znj. Belinda BALLUKU”, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
Çfarë parashikon kërkesa e SPAK?
Kërkesa synon:
- Dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së znj. Belinda Balluku;
- Zëvendësimin e masës së sigurimit aktuale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, e parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale;
- Zëvendësimin e masës “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i po këtij Kodi;
- Vendosjen e masës së re të sigurimit “Arrest në burg” ose “Arrest në shtëpi”.
- Procedimi penal
Kërkesa lidhet me procedimin penal nr. 136 të vitit 2025, në kuadër të të cilit znj. Balluku është marrë si e pandehur dhe person nën hetim.
Ajo dyshohet se ka kryer në mënyrë të përsëritur dhe në bashkëpunim, veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Znj. Balluku aktualisht ushtron funksionet e deputetes së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe detyrën e ministres dhe zëvendëskryeministres.
Vendimmarrja përfundimtare i takon seancës plenare të Kuvendit, e cila do të shqyrtojë dhe votojë mbi rekomandimin e paraqitur.
