Ndiheni të lodhur gjatë ditës edhe pse keni fjetur mjaftueshëm? Arsyeja mund të mos jetë vetëm mungesa e pushimit, por edhe ushqimet që konsumoni. Ekspertët e ushqyerjes paralajmërojnë se disa zgjedhje të zakonshme në dietën e përditshme mund të shkaktojnë luhatje të energjisë, përgjumje dhe rënie të përqendrimit.
Ushqimet e skuqura janë ndër faktorët kryesorë që lidhen me ndjenjën e lodhjes pas konsumit. Përmbajtja e lartë e yndyrës dhe mungesa e fibrave bëjnë që tretja të ngadalësohet, duke e detyruar trupin të shpenzojë më shumë energji për përpunimin e tyre. Si rezultat, ndjenja e rëndesës dhe mungesa e energjisë mund të zgjasin për disa orë.
Një tjetër grup ushqimesh që mund të ndikojnë negativisht në nivelet e energjisë janë karbohidratet e rafinuara, si buka e bardhë, makaronat e zakonshme dhe orizi i bardhë. Këto ushqime shkaktojnë rritje të shpejtë të sheqerit në gjak, duke dhënë një “shpërthim” të shkurtër energjie, por më pas mund të pasohet nga një rënie e menjëhershme që sjell lodhje, uri dhe përgjumje.
Sipas ekspertëve të ushqyerjes, alternativa më e mirë janë drithërat e plota, të cilat përmbajnë më shumë fibra dhe ndihmojnë në çlirimin gradual të energjisë gjatë ditës. Kjo shmang ndryshimet e forta të sheqerit në gjak dhe ndihmon në ruajtjen e një niveli më të qëndrueshëm energjie.
Por ndikim nuk ka vetëm lloji i ushqimit. Studimet e fundit tregojnë se edhe mënyra se si organizmi i përpunon kaloritë ndryshon nga një person tek tjetri. Sipas BBC, ekspertët e ushqyerjes theksojnë se nuk janë të gjitha kaloritë njësoj, pasi reagimi i trupit varet nga faktorë biologjikë, metabolizmi dhe mikrobioma e zorrëve.
Profesoresha e ushqyerjes Sarah Berry nga King’s College London ka shpjeguar se i njëjti ushqim mund të ketë efekte të ndryshme te njerëz të ndryshëm, pasi mënyra e metabolizimit ndikohet nga karakteristikat individuale të organizmit.
Edhe koha e vakteve duket se luan një rol të rëndësishëm. Disa studime sugjerojnë se konsumimi i pjesës më të madhe të kalorive më herët gjatë ditës mund të jetë më i favorshëm për peshën dhe metabolizmin krahasuar me ngrënien e sasive të mëdha në mbrëmje.
Ekspertët këshillojnë një dietë të balancuar me ushqime të pasura me fibra, proteina dhe yndyra të shëndetshme, si dhe shmangien e vakteve shumë të rënda në orët e vona. Në fund, energjia e trupit nuk varet vetëm nga sasia e ushqimit që hamë, por edhe nga cilësia dhe momenti kur e konsumojmë atë./ad
