Nga Leonard Veizi

“Gjuetari i Balonave” ishte një shpërthim letrar në tregun shqiptar të librit. Autori i tij, një shkrimtar afgan me rezidencë në Shtetet e Bashkuara, solli përpara lexuesit një realitet krejt të panjohur për publikun shqiptar…
…Deri atëherë, shqiptarët ishin mësuar të dëgjonin nga Afganistani vetëm lajme lufte, kronika gjaku dhe rrëfime shkatërrimi. Që prej kohës kur trupat sovjetike hynë me dhunë në atë vend, Afganistani në imagjinatën kolektive ishte kthyer në sinonim të konfliktit dhe kaosit. Romani i Hosseinit e zhvendosi vështrimin: nga tanket te balonat, nga fronti i luftës te oborret e fëmijërisë, nga propaganda te drama intime e fajit dhe e faljes. Ai zbuloi një Afganistan njerëzor, të ndjeshëm e të brishtë – një vend me histori, me dashuri dhe me plagë, përtej titujve të lajmeve.
Veprat në shqip
Më pas, në gjuhën shqipe erdhën edhe romane të tjera të tij si “Dhe malet oshëtijnë” e “Lutje detit” -përkthyer nga Oriana Tamburi, – si dhe “Një mijë diej vezullues”, nën përkthimin e Ledia Agollit, e cila njihet gjithashtu si përkthyesja e suksesit të parë “Gjuetari i Balonave”. Të gjitha këto vepra u botuan nën logon e shtëpisë botuese prestigjioze “Omsca-1”.
Mes pluhurit dhe legjendave
Khaled Hosseini u lind në një qytet që i mëson fëmijët të ecin mes pluhurit dhe legjendave. Në Kabulin e vitit 1965, mes maleve që duken si kurrize të përthyera historie, erdhi në jetë një djalë që do të mësonte herët se atdheu nuk është vetëm tokë, por plagë dhe mall.
Fëmijëria e tij u ndërpre nga furtuna e historisë. Lufta, mërgimi dhe ndarja nga vendlindja nuk ishin kapituj librash për të, por përvoja të jetuara. Familja e tij u largua nga Afganistani dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara, ku Hosseini do të ndërtonte një jetë të re, në një gjuhë tjetër e në një horizont të ri.
Ai zgjodhi mjekësinë si një mënyrë për të shëruar trupat. Pas përfundimit të studimeve, punoi si mjek në Kaliforni – një profesion që më vonë do ta përshkruante si “një martesë të rregulluar”: e respektueshme dhe e qëndrueshme, por jo domosdoshmërisht e lindur nga pasioni. Megjithatë, në heshtje, brenda tij rritej një tjetër thirrje: ajo për të rrëfyer.
Nga mjekësia te letërsia universale
Kur botoi romanin e tij të parë, “The Kite Runner”, ai nuk i dha botës vetëm një histori; i dha një atdhe të copëzuar, një miqësi të tradhtuar dhe një faj që kërkon falje. Afganistani i tij nuk ishte thjesht një sfond ekzotik lufte, por një qenie e gjallë – me rrugë të mbushura me fëmijë që vrapojnë pas balonave, me baballarë krenarë dhe me heshtje që rëndojnë më shumë se britmat. Protagonisti i tij ishte afgan, por drama e tij ishte universale.
Suksesi qe i menjëhershëm. Papritur, mjeku nga Kalifornia u bë zëri letrar i një kombi të shpërndarë nëpër botë. Pas këtij triumfi, Hosseini mori vendimin që shumëkush e mban pezull gjithë jetën: u tërhoq nga mjekësia për t’iu përkushtuar plotësisht letërsisë. Në vend që të qepte plagë me bisturi, ai zgjodhi t’i prekte ato me fjalë.
Aktualitet
Sot, Khaled Hosseini mbetet shkrimtari që ndërtoi një urë mes Lindjes dhe Perëndimit. Përmes tij, Afganistani nuk është më vetëm një titull lajmesh – është zë, është fytyrë dhe një zemër që rreh.
