Këngëtarja e njohur, Orhidea Latifi, ose siç e njohim të gjithë si Kida, sapo na ka konfirmuar lajmin e madh të martesës së saj, dhe e ka bërë në mënyrën më “funny” të mundshme! Përmes një videoje të publikuar në llogarinë e saj në TikTok, artistja ka zbuluar se muaji shtator do ta gjejë atë të veshur me fustanin e bardhë të nusërisë.
Ndonëse lidhja e saj e dashurisë me partnerin, Ajbi, ishte tashmë e njohur për publikun dhe mediat rozë prej kohësh, ajo që i kapi ndjekësit në befasi ishte konfirmimi i dasmës që është tek dera. Pa zgjedhur deklaratat klasike apo postimet tradicionale, Kida vendosi të thyejë heshtjen për ditën e madhe duke iu bashkuar trendeve humoristike të TikTok-ut. Sipas Telegrafit dasma do të zhvillohet në Romë në datën 1 shtator, ku priten të jenë të ftuar familjarë, miq dhe kolegë të ndryshëm.
Duke qenë se jemi në fund të gushtit, duket se numërimi mbrapsht ka filluar për çiftin dhe përgatitjet duhet të kenë përfunduar. Komentet dhe urimet nga fansat kanë “shpërthyer” menjëherë në profilin e saj, teksa të gjithë presin me padurim të shohin këngëtaren në ditën më të rëndësishme të jetës së saj krah Ajbit.
Mbetet për t’u parë se çfarë detajesh dhe surprizash të tjera ka rezervuar dyshja për ceremoninë e tyre, e cila me shumë siguri do të jetë kryefjala e portaleve këtë fillim vjeshte!/mxh
