Një nga risitë e rëndësishme të sezonit të ri në Superiore ka nisur të japë menjëherë rezultatet e para konkrete. Rregulli i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit për aktivizimin e detyrueshëm të lojtarëve të rinj ka krijuar më shumë hapësira për talentet shqiptarë që të provojnë veten në elitën e futbollit vendas.
Sipas rregullores së miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, duke nisur nga sezoni 2026-2027, në Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër do të ketë detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare.
Në javën e parë të kampionatit, kjo risi është shoqëruar me aktivizimin e 17 futbollistëve të rinj.
Por përtej shifrave, java e parë solli edhe protagonistë të rinj. Briajan Gjyla i Vorës, i datëlindjes 2007, u bë vendimtar në sfidën ndaj Dinamo City, duke shënuar golin e fitores në suksesin 1-0 të Vorës.
Te Tirana u aktivizuan pesë lojtarë të rinj: Olti Qerimaj, Mateo Maçi, Aimar Bami, Serxho Vogli dhe Serxho Prendi.
Egnatia aktivizoi Reis Bakallin dhe Zyber Çullhajn, ndërsa Teuta u dha hapësirë Ergis Arifit dhe Grei Kuqit./mxh
