Last Updated on 30/06/2025 by adminfjala
Në fillim të viteve 1950, ndërsa Partia Komuniste e Kinës përpiqej të rindërtonte vendin e shkatërruar nga luftërat, Mao Zedong, heroi revolucionar dhe udhëheqës i partisë bëri një përshkrim të sinqertë e brutal të gjendjes së industrisë kineze: “Ne mund të bëjmë tavolina dhe karrige, filxhanë dhe çajnikë… por nuk mund të bëjmë asnjë makinë, avion, tank apo traktor“, tha ai asokohe.
Kjo ndjenjë urgjence industriale çoi në ngritjen e fabrikës së parë të traktorëve në Luoyang, në provincën Henan, si pjesë e një prej 156 projekteve të mëdha industriale të Planit të Parë 5-vjeçar të partisë.
Vetëm pak vite më vonë, në vitin 1958, doli nga linjat e prodhimit traktori i parë i ndërtuar në Kinë, “Dongfang Hong”.
Shtatë dekada më vonë, Kina është shndërruar në një fuqi ekonomike dhe ushtarake globale.
Por udhëheqësit e saj janë ende të vetëdijshëm për një dobësi të vjetër: dhjetëra “choke points”, pika kritike industriale ku vendi mbetet i varur nga teknologjitë perëndimore, sidomos në sektorët e ndjeshëm si çipat, materialet e avancuara dhe makineritë me precizion të lartë.
Me këtë sfond historik, Presidenti Xi Jinping rikthehet në Luoyang, në fabrikën moderne që pason atë të epokës së Mao-s. Vizita e tij, më shumë se simbolike, është një thirrje kombëtare për eliminimin e çdo pengese teknologjike që e bën Kinën të prekshme ndaj presionit të SHBA-ve dhe aleatëve të saj. Në një epokë kontrollesh të reja mbi eksportet, Pekini ka vendosur të shpejtojë përpjekjet për vetë-mjaftueshmëri industriale./kb