Last Updated on 26/07/2026 by EL
Për shumë vite është besuar se rënia e popullsisë së koalave nisi pasi njerëzit mbërritën në Australi. Megjithatë, një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore Molecular Biology and Evolution, tregon se kjo krizë kishte filluar shumë më herët, rreth 100 mijë vjet më parë, si pasojë e ndryshimeve klimatike të epokës së akullnajave. Deri më tani, studiuesit e lidhën tkurrjen e numrit të koalave me mbërritjen e njerëzve në Australi rreth 65 mijë vjet më parë. Kjo teori mbështetej në të dhëna fosile dhe në modele të mutacioneve gjenetike të bazuara te njerëzit dhe minjtë, të cilat rezultuan jo plotësisht të sakta.
Në studimin e ri, shkencëtarët përcaktuan për herë të parë normën reale të mutacioneve te koalat, e cila rezultoi të jetë rreth gjysma e asaj të njerëzve. Duke analizuar 457 gjenome të koalave, ata rindërtuan historinë e popullsisë së tyre me saktësi më të madhe.
Rezultatet tregojnë se rënia e numrit të koalave nisi rreth 100 mijë vjet më parë, kur ndryshimet klimatike dhe alternimi i periudhave akullnajore dhe ndërakullnajore reduktuan ndjeshëm habitatin e tyre. Kjo ndau popullsinë perëndimore nga ajo lindore. Popullsia perëndimore u zhduk, ndërsa ajo lindore arriti të mbijetojë pavarësisht kushteve të vështira dhe më vonë edhe mbërritjes së njerëzve.
Sipas studiuesve, momenti vendimtar ishte rreth 60 mijë vjet më parë, kur një numër shumë i vogël koalash arriti të mbijetonte deri në përmirësimin e kushteve klimatike. Më pas, mes 16.500 dhe 6.000 vjetëve më parë, këta koala u shumuan dhe krijuan pesë popullsi të ndryshme gjenetikisht, prej të cilave rrjedhin të gjitha koalat që jetojnë sot në Australi.
Shkencëtarët theksojnë se metoda e re e analizës gjenetike nuk shërben vetëm për të kuptuar të kaluarën e kësaj specieje, por edhe për të identifikuar popullsitë që po bien më shpejt sot, duke ndihmuar në ndërmarrjen e masave urgjente për mbrojtjen e tyre.
