Last Updated on 26/11/2026 by EL
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri sot të ditur se procesi i konsultimit për projekt-ligjin e ri të Kodit të Procedurës Penale vazhdon, edhe pse afati zyrtar u mbyll më 28 tetor. Javën e ardhshme, ministria do të ulet me median dhe shoqërinë civile për konsultimin e fundit, perpara se te kryhet procesi i shqyrtimit te komenteve nga institucionet.
“Në 30 shtator e nxorrëm projekt-ligjin për konsultim publik. Në 28 tetor e mbyllëm afatin zyrtar, por konsultimi vazhdon dhe puna nuk ka mbaruar ende,” tha ministri.
“Kemi marrë mendime nga gjyqtarët, prokurorët, SPAK-u, avokatët, ekspertët dhe vetë qytetarët,” u shpreh Gogu. Sipas tij, projekt-ligji është punuar edhe me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe i është dërguar Komisionit Evropian.
Ministri pranoi se dokumenti ka marrë edhe kritika, të cilat po adresohen, dhe theksoi se konsultimi shërben për ta bërë ligjin më të mirë. “Dhe pikërisht për këtë shërben konsultimi, jo për të thënë se i kemi dëgjuar të gjithë,” tha ministri.
Para se projekti të marrë formën përfundimtare, mbeten tre hapa. I pari është takimi me median dhe shoqërinë civile javën e ardhshme. “Do të kryejmë edhe konsultimin e fundit,” u shpreh Gogu.
I dyti lidhet me transparencën e procesit. “Çdo propozim që do të shqyrtohet do të ketë një kontribut që do të marrë përgjigje dhe raporti do të bëhet publik,” tha ministri.
I treti është vendimi përfundimtar. “Pastaj, në fund, është radha e qeverisë dhe vendos Kuvendi,” tha Gogu.
Ministri e mbylli mesazhin duke shpjeguar balancën që duhet të ruajë kodi i ri. “Sepse një Kod i Procedurës Penale duhet të bëjë dy punë njëkohësisht, nga njëra anë të mbrojë të drejtat e qytetarit dhe nga ana tjetër t’u japë institucioneve mjetet ligjore për të hetuar krimin. Asnjëra më e fortë se tjetra,” tha ministri në mbyllje./et
